Me 62 vota pro dhe 20 kundër, Kuvendi miratoi kërkesën e qeverisë për të kaluar me procedurë të pershpejtuar një projektligj për Portin e Durrësit.
Kalimi me procedurë të përshpejtuar, u kundërshtua nga opozita. Ndërsa, kryeministri Edi Rama se nuk ka kohë për të humbur për këtë investim në qytetin bregdetar.
Pse? Së pari, porti u tha se do të ndërtohej nga ‘Emaar Group’, një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në botë dhe e bërë e njohur për shndërrimin e Dubait nga një shkretërirë në një prej qendrave kryesore financiare globale.
Por, ‘Emaar Group’ e transferoi ndërtimin te ‘Symphony Invest Ltd’, një kompani e regjistruar në ishujt Kajman, njohur si parajsë fiskale. Nuk përfundon me kaq. ‘Symphony Invest ltd’ e transferon ndërtimin te ‘Eagles Hills Real Estate’, regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Këto janë lëvizje që janë regjistruar në harkun kohor të pak muajve nga ana e kompanisë. Lëvizjet e tjera janë të qeverisë. Kjo e fundit nga ideja për t’i falur rreth 820 mijë metër katrorë pronë publike kompanisë private pa u përfshirë në projekt, krejt papritur vendos të bëhet pjesë dhe aksionare në ‘Real Hills Real Estate’.
Sipas kontratës së nënshkruar, qeveria do të përfshihet aktivisht në projekt, por pa financuar. Paratë do të jenë të gjitha të kompanisë private. Por, cili është kushti që kompania ka pranuar këto terma? Brisida Shehaj e PL thotë se kompanisë po i falet trualli pa përfituar asgjë në këmbim dhe veç kësaj, kompania përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe 3 përqindëshi i strehimit social, që me koston e 2 miliardë eurove, sa thuhet se do të jetë investimi vlera e taksave shkon deri në 70 deri në 100 mln euro.
Një tjetër pikë që ngre dyshime është ajo që vendos qeverinë të ndërmarrë shpronësimet dhe mbulojë kostot e tyre. Pse duhet kjo pikë, në një kohë që i gjithë projekti shtrihet në truall publik?
Brisida Shehaj thotë se përgjigja mund të jetë plani për të zgjeruar projektin me ndërtime në pronat përreth të zotëruara nga individë, apo kompani të tjera private. Ajo e cilëson këtë një mega-aferë.
Alibia e qeverisë bie në një prej pikave të kontratës, që parashikon se kompania do të nisë punën me ndërtimin e pallateve, resorteve dhe hoteleve dhe më pas të portit. Pra, i gjithë projekti që quhet porti turistik do të nisë me pallate.
© SYRI.net