Dje nëpër media doli informacioni se burime të ndryshme të mirënformuara pohonin se lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti këtyre ditëve po realizojnë takime të njëpasnjëshme, lidhur me kombinatorikat qeveritare, kurse këtu është e përfshirë edhe Aleanca për Shqiptarët, kryesisht Ziadin Sela, dhe Vesel Memedi i cili e përkrahi Qeverinë paradokohe njëjtë si BDI-ja, pa treguar kushtet e pjesëmarrjes në të. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, një nga kërkesat e Ahmetit ndaj Zaevit është që Lëvizja BESA as mos të ftohet në konsultimet për konstituimin e Parlamentit, nga shkaku se BESA i ka kushtet e rënda për pranimin e përkrahjes së një Qeverie ku mund të ketë persona të inkriminuar, dhe nëse nuk fillon procesi i Ridefinimit të shtetit, ndërsa këtë e ka të qartë edhe Zaevi.
Mediat sot e kanë pyetur Sekretarin e Përgjithshëm të Lëvizjes BESA, Afrim Gashin se: Në media flitet se një nga kushtet e Ali Ahmetit ndaj Zoran Zaevit është që BESA as mos të ftohet në bisedimet për konstituimin e Parlamentit, shkaku i kushteve të rënda të BESËS që i ka plasuar në opinion, sa janë të vërteta këto lajme?
Lidhur me këtë, Afrim Gashi është përgjigjur: “Ne si Lëvizja BESA nuk merremi me spekulime, por mund të them se gjatë gjithë veprimtarisë sonë politike kemi pasur qëndrimet tona dhe parimet nga të cilat nuk kemi hequr dorë në asnjë rast, e as nuk do të heqim. BESA çdoherë ka qenë transparente, kështu menjëherë pasi përfunduan zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit, i bëmë të ditura parakushtet themelore me të cilat eventualisht BESA do të fillonte diskutimin për mundësinë e përfshirjes në një qeveri, e ato janë: BESA pranon të bisedoj për qeverisje vetëm nëse në të nuk ka figura politike të inkriminuara dhe të dyshuara nga Prokuroria Speciale Publike dhe afera të tjera që e kanë dëmtuar interesin publik; BESA do të pranonte të jetë pjesë e bisedimeve për qeverisje vetëm nëse pranohet diskutimi për RIDEFINIMIN e sistemit juridiko-kushtetues të shtetit dhe se BESA do të pranonte të bisedoj për qeverisje vetëm nëse marrëveshja qeveritare do të jetë transparente për publikun dhe e afatizuar. Me këto kërkesa dhe ide BESA fitoi rreth 60 mijë vota në zgjedhje, kështu ne jemi vetëm zëri i atyre njerëzve që na besuan në këtë rrugëtim tonin dhe Platformën tonë politike, kështu që kushtet tona i kanë të qarta të gjitha partitë politike, pasi në vazhdimësi i kemi artikuluar ato para opinionit. Ne ju ngelemi besnik votuesve tanë me të cilët në vazhdimësi jemi në kontakt, e prej ku edhe i ndërtojmë qëndrimet tona bashkërisht.”