Agim Bahtiri shkarkon drejtorin Dragaj, në vend të tij emëron nipin e vet

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka shkarkuar nga pozita drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori tashmë i shkarkuar, ka treguar se shkarkimi i tij ka ndodhur para tri javësh.

Arsyet e shkarkimit Dragaj thotë se nuk i di.

“Për çka jam shkarku nuk e di as vetë, sepse nuk kam pasë rast kurrkush me më tregu pse jam shkarku”, thotë Musa Dragaj.

Dragaj tregon se vendimi i është dërguar pasi është kthyer nga pushimi.

“Në vendim shkruan që vetëm në bazë të kompetencave të kryetarit shkarkohet nga detyra e drejtorit për Emergjenca, dhe nuk ka asnjë arsyetim”, shtoi Musa Dragaj.

Emri i drejtorit Musa Dragaj është hequr edhe nga web-faqja e Komunës së Mitrovicës.

Ndërsa, në vend të Musa Dragajt, kryetari i Mitrovicës së Jugut është kujdesur ta emërojë nipin e tij, djalin e vëllait.

Portali ka bërë përpjekje dje dhe sot të marrë një prononcim nga kryetari Agim Bahtiri lidhur me arsyen e shkarkimit të Musa Dragajt dhe zëvendësimin e tij me nipin e tij, Nehat Bahtirin.

Të hënën, porsa ka kuptuar që është kontaktuar nga gazetarja e KALLXO.com Agim Bahtiri e ka mbyllur telefonin. E sot, ai i ka kërkuar gazetares së KALLXO.com që pyetjet t’i dërgojë me SMS dhe se më pas do të përgjigjet. Por, kryetari Bahtiri ende nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa, nipi i kryetarit Bahtiri e ka konfirmuar se është emëruar në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

“Po, unë jam emëruar drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim”, ka thënë Nehat Bahtiri për KALLXO.com.

Po ashtu, drejtori i ri e ka pranuar se kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, është axha i tij.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme