Në tragjedinë e Koçanit ku humbën jetën 59 persona, mes tyre ishin edhe pesë anëtarë të grupit te njohur muzikor DNK. Në emisionin Ftesë në Studio ishte I ftuar kompozitori dhe producenti Agon Xhemaili, i njohur si Agon Distortion, I cili ndau kujtimet e tij për grupin dhe për Andrej Gjorgievskin, vokalistin e grupit, me të cilin kishte një miqësi të gjatë. Duke folur për DNK, ai theksoi ndikimin e grupit dhe dashurinë e madhe që publiku kishte për ta.
“Në koncertet e DNK gjithmonë ka pasur njerëz të moshave të ndryshme, nuk kishte limit. Nga të rinjtë e deri te më të moshuarit I kanë dëgjuar ata. Ndoshta edhe për shkak të zhanrit të tyre, sepse fillimisht ishin hip-hop dhe RnB, por më vonë kaluan edhe në muzikën popullore. Është interesante që fansat I kanë pasur nga shumë të vegjël deri në moshën 60 vjeç”, tha Agon Distortion, producent.
Agoni I cili ka pasur një miqësi shumë vjeçare me Andrej Gjorgievskin, këngëtarin e grupit DNK, e përshkroi Andrejin si një person të jashtëzakonshëm, të sinqertë dhe plot jetë.
“Unë e njoh prej 30 vitesh, jemi rritur bashkë. Ka qenë njeri shumë fun, shumë origjinal, nuk ka pasur maskë. Ishte shumë emotiv dhe dinamik, gjithmonë me një energji të mirë.”
Ai gjithashtu rrëfeu edhe momentet e para kur mori vesh lajmin për tragjedinë dhe për humbjen e mikut të tij.
“Në mëngjes më treguan se kishte ndodhur një aksident në Koçan, se kishin humbur jetën shumë të rinj. Më dërguan një video ku Panço dhe Andreji po këndonin. U përpoqa ta kontaktoj familjen e tij, por nuk mu lajmëruan. Gjatë ditës e kërkoja nëpër shokë dhe miq, derisa producenti që shkoi në Koçan tha se nuk mund ta gjenin Andrejin askund. Më vonë mësova lajmin e hidhur.”, u shpreh Agoni.
Duke kujtuar mikun e tij, Agoni theksoi se Andreji ishte më shumë se një artist I suksesshëm , ai ishte një njeri që gjithmonë ndihmonte të tjerët dhe që do të mbahet mend për zemërgjerësinë dhe karakterin e tij të fortë.