Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pas bllokimit të hyrjes në godinën e News24, ku gazetarët dhe punonjësit e medias vazhdojnë të jenë të penguar në rikthimin e tyre në ambientet e punës, pavarësisht një vendimi të qartë të Gjykatës së Tiranës të datës 12 gusht.
Në një deklaratë publike, AGSH shpreh shqetësim të thellë për faktin se, edhe pas një vendimi gjyqësor që garanton të drejtën e gazetarëve për të hyrë në ambientet e punës, hyrja në godinën e Panorama Group ende vijon të jetë e bllokuar.
Deklarata thekson se, përkundër përpjekjeve për të aksesuar godinën, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave janë të bllokuar përpara dyerve, pa mundësi për të hyrë në ambientet e punës dhe për të përdorur pajisjet dhe materialet që përmbajnë informacione me rëndësi publike. Ky bllokim i vazhdueshëm ka krijuar një situatë ku puna e gazetarëve po pengohet dhe cenohet rëndë të drejta për informim të qytetarëve.
AGSH kërkon që kompania shtetërore “KAYO” dhe autoritetet shtetërore të zbatojnë menjëherë dhe në mënyrë të plotë vendimin e gjykatës, duke e konsideruar si një çështje të rëndësishme për respektimin e shtetit ligjor dhe standardeve ndërkombëtare të lirisë së medias.
“Çdo ditë vonesë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së gazetarisë dhe e vendos Shqipërinë në një dritë negative përballë partnerëve ndërkombëtarë,” theksohet në deklaratën e AGSH.
Deklarata e plotë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësim të thellë për faktin se, edhe pas vendimit të Gjykatës së Tiranës të datës 12 gusht, hyrja në ambientet e Panorama Group vijon të jetë e bllokuar.
Raportimet tregojnë se gazetarët dhe stafi teknik nuk kanë ende mundësi të hyjnë as nga hyrje alternative, duke mbetur pa qasje në pajisjet e tyre dhe në materialet e punës që përmbajnë informacione me rëndësi publike. Ky mosveprim po pengon ushtrimin e detyrës dhe po dëmton drejtpërdrejt të drejtën e informimit të qytetarëve.
I bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore dhe kompanisë KAYO të zbatojnë pa vonesë dhe në mënyrë të plotë vendimin gjyqësor, duke respektuar parimet themelore të shtetit ligjor dhe standardet ndërkombëtare për lirinë e medias.
Çdo ditë vonesë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së gazetarisë dhe e vendos Shqipërinë në një dritë negative përballë partnerëve ndërkombëtarë.
https://www.panorama.com.al/tv/live_youtube.php



