Edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është përfshirë masivisht në aksionin e sotëm për pastrimin e ambientit.
Në këtë aksion ka marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe shumë politikanë të tjerë.
“Qindra qytetarë vullnetarë, të rinj e të moshuar, nxënës e studentë, ushtarë e policë, politikanë e pjesëtarë të shoqërisë civile, u bashkuan sot për ta pastruar Prishtinën në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.
Ndërkohë përveç pastrimit të ambientit, thuhet se do të bëhet përpjekje edhe për eliminimin e deponive ilegale.
“Si Kryeqytet, përveç pastrimit të rrugëve, shesheve dhe parqeve, do të përqendrohemi në pastrimin dhe eliminimin e deponive ilegale”.
“Angazhimi i tillë i përbashkët për të mirën e përgjithshme, për ruajtjen e mjedisit, është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm për ta bërë Prishtinën qytet të pastër”, përfundon komunikata.