Shpend Ahmeti e Mimoza Kusari-Lila pavarësisht përfshirjes në lista për deputetë, duan të vazhdojnë udhëheqjen e komunave.
Katër kryetarë të komunave janë pjesë e listave për deputetë të subjekteve politike në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, të publikuara deri tash-kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri dhe kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj.
Lëvizja “Vetëvendosje” në listën e saj të kandidatëve për deputetë e ka vendosur në pozitën numër 5 kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.
Ahmeti tha për KALLXO.com se nuk do ta rrezikojë projektin e Prishtinës.
“Gjithçka me kohë. Prioritet sot është fitorja në nivel qendror që edhe reformat në nivel lokal të jenë me të lehta. Unë projektin e Prishtinës në asnjë mënyrë nuk do ta rrezikoj”, tha Ahmeti.
I pari i komunës së Prishtinës,Shpend Ahmeti, i pyetur nga KALLXO.com se për cilën pozitë do përcaktohet në rast së zgjidhet edhe deputet pas 11 qershorit ai tha nuk do ta rrezikojë projektin për Prishtinën.
Si Ahmeti, edhe Mimoza Kusari-Lila tha se është përcaktuar për një mandat të ri në Gjakovë, edhe pse është bartëse e listës në subjektin e saj Alternativa.
“Përcaktimi im është të angazhohem për Gjakovën edhe të vazhdojë angazhimin për Gjakovën. Natyrisht që është obligim politik moral e njerëzor që të jem bashkë me ta në këtë listë në mënyrë që përfaqësojmë edhe të shohim cila është forca jem edhe në nivel të Kosovës në raport me Alternativën si subjekt i ri politik”, tha Kusari-Lila për KALLXO.com.
I pavendosur se a do të konkurrojë për mandat të ri në Mitrovicë, apo do të synojë Kuvendin e Kosovës u shfaq Agim Bahtiri, kandidati i AKR-së për deputet.
“Do ta shiqojmë,” është përgjigjur shkurt Bahtiri përmes telefonit për KALLXO.com.
Por kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj synon të vijë në Prishtinë si deputet i AAK-së pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
“Vendimi i im është deputet”, tha Selmanaj.
Kryetari i Deçanit tha se nëse zgjidhet deputet, komunën do ta drejtojë nënkryetari deri në zgjedhjet lokale.
“Deri në korrik nuk do certifikohem si deputet, momentin kur certifikohem unë shkoj në Parlament, mandatin e kryetarit e vazhdon nënkryetari”, tha Selmanaj.
Ai tregoi se në bazë të informacioneve që i ka komuna e Deçanit nuk do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në rast se ai bëhet deputet.
“Sipas informacioneve që unë i kam nuk shkohet në zgjedhje. Nënkryetari vazhdon deri në zgjedhje sepse është një periudhë dy tre muaj s’ka ma shumë. Nuk mbërrijnë me bo zgjedhje sepse ende pa përfunduar një parë zgjedhje vjen vakti i tjerave”, tha Selmanaj.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka bërë të ditur për KALLXO.com së Kryetari i Komunës ka të drejtë të kandidojë për deputet, pa dhënë dorëheqje nga pozita që mban në nivel lokal.
“Kryetari i komunës, ka të drejtë të jetë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës, pa pasur nevojë për dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës,”njofton divizioni për komunikim i Ministrisë.
Por gjërat ndryshojnë kur një kryetar komune zgjidhet deputet.
“Kryetari i Komunës mund të certifikohet si kandidat në zgjedhje tjera siç janë ato për Kuvend të Kosovës apo Kuvend të Komunës, por do të mbajë vetëm një pozitë të zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.
Sipas ministrisë nëse kryetari i komunës jep dorëheqje, komuna shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Në rast se kandidati për deputet fiton mandatin e deputetit, duhet të zgjedh njërën nga pozitat (deputet ose kryetar i komunës). Në rastin kur ai (Kryetari i komunës, kandidati për deputet) përcaktohet për ta mbajtur mandatin e deputetit, atëherë ai jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës dhe komuna shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Zgjedhjet e parakohshme u caktuan më 11 qershor nga Presidenti Thaçi, pasi më 10 maj qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa u rrëzua në Kuvend.