Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, e cilësoi sot miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, një festë të madhe për të gjithë shqiptarët.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Ahmeti tha se me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve sot u kurorëzua pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001.
“Nga sot, gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase dhe ky akt i sotëm i deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë paraqet një festë të madhe për të gjithë ne. Nga ky vendim ka fituar Maqedonia dhe të gjithë qytetarët e vendit meqë mbyllet një kapitull shume i rëndësishëm për vendin tonë”, theksoi Ahmeti.
Kreu i BDI-së, uron të gjithë kontribuesit për këtë arritje të përbashkët dhe i falënderon të gjithë mbështetësit gjatë gjithë këtij procesi.
Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miratoi sot me 69 vota pro Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ligji parashikon që veç gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare në vend të jetë edhe shqipja dhe alfabeti i saj. Ligji përmban 25 nene dhe parashikon që në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione, persona juridikë që kryejnë aktivitete publike, gjithë zyrtarët, përveç gjuhës maqedonase të jetë dhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë.