Mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, që ka zgjatur pothuajse tërë ditën, për Shpend Ahmetin ka qenë e shkurtër. Por ka treguar se nga ajo nuk ka dalë dakordim për rrugën përpara.
“Ne që jemi mësuar me mbledhje të Kryesisë e të Grupit Parlamentar, kjo ishte relativisht e shkurtër mund të them, duke e marr parasysh që problemi është i dukshëm. Ka mospajtime të theksuara që për herë të parë në këtë përbërje të përbashkët është diskutuar, shtruar dhe hapur”, ka thënë Ahmeti.
“Nuk kemi arritur që të gjejmë marrëveshje apo që të dakordohemi, për rrugën përpara, megjithatë mendoj që ka qenë diskutimi së paku më i sinqertë që kam dëgjuar në këta muajt e fundit sa i përket dallimeve të cilat mendoj se janë tepër të thjeshtuara në publik por së paku u dakorduam që të vazhdojmë diskutimet dhe mendoj që do të ketë diskutime edhe më intensive ditëve në vijim për të parë se a ka mundësi që të vazhdohet në një rrugë të përbashkët”, ka thënë tutje Ahmeti.
Sipas tij, një problem që është krijuar për një kohë të gjatë vështirë se zgjidhet për katër orë.