Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU) ka paralajmëruar se shumë shpejt, ndoshta deri në fund të muajit mars, do të botojë librin me opinionet e anëtarëve të për Kosovën, që do të jetë kontributi i saj në dialogun mbi këtë temë.
Nënkryetari i SANU, Ljubomir Maksimoviq, sipas agjencisë serbe FoNet, ka thënë se libri, do të përmbajë tekste autoriale të disa prej anëtarëve të saj, të cilët me profesionin e tyre në mënyrë të veçantë janë të thirrur për të shprehur mendimin shkencor.
Ai tha se nuk do të ketë më shumë se dhjetë tekste autoriale, kurse si autorë të tyre përmendi akademikët Vuksanoviq, Varadi dhe Çavoski, përcjell Telegrafi.
Në pjesën e dytë të librit, sipas tij, do të prezantohet se çka është thënë në diskutimet e organizuara nga Departamentet e SANU për Kosovën me emrat e pjesëmarrësve dhe çfarë kanë thënë.
Sipas tij, libri do të ketë rreth 250 faqe, kurse shtypja e tij do të fillojë më 12 mars me një numër të madh kopjesh.
“Akademia nuk është e korporative, as në aspektin politik, ekonomik e as në ndonjë kuptim tjetër. Ajo nuk nxjerr konkluzione në lidhje me çështjet e mëdha, të cilat do të votoheshin në kuvende të ndryshme dhe kjo do të ishte politika zyrtare e Akademisë”, tha Maksimoviq, duke shtuar se Akademia është një grup i artistëve të lirë .
Sipas Maksimoviq, shumica prej tyre merren, si pjesë kryesore të aktiviteteve të tyre, me metodat shkencore ose si artistë edhe me çështje të cilat janë të rëndësisë së përgjithshme shoqërore, dhe e tillë është çështja e Kosovës.
Maksimoviq njoftoi se së shpejti do të publikohet një botim me një bibliografi të plotë të gjithçka që është shkruar dhe të thënë nën kulmin e SANU për Kosovën.