Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka shpallur konkurs për punonjës në 12 fusha: ineteligjencë, siguri të teknologjisë informative dhe rrjeta, programim, mbështetje të teknologjisë informative, kibernetikë, auditim financiar, auditim të performancës, auditim të teknologjisë informative, auditim të pajtueshmërisë, auditim të brendshëm, siguri fizike dhe higjienë.
Tek fusha e inteligjencës, kandidatët duhet të kenë pëgatitje universitare dhe preferohet njohja e ndonjërës nga gjuhët: angleze, serbe, ruse, arabe, kineze.
Në të gjitha pozitat orari është i plotë, derisa kohëzgjatja e kontratës është e pacaktuar.
Kandidatët për punësim në AKI do t’i nënshtrohen procedurës së ekzaminimit mjekësor, verifikimit të sigurisë dhe mund t’u nënshtrohen edhe kushteve tjera specifike.
“Të gjithë kandidatet të cilët deklarojnë të dhëna të pasakta do të diskualifikohen gjatë procesit të verifikimit të sigurisë”, thuhet në njoftim.
Përveç kushteve të mësipërme kandidatët duhet të plotësojnë edhe standardet strikte të sigurisë, të përcaktuara në nenin 14 të Ligjit nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe legjislacionin relevant.
Procesi i përzgjedhjes është i klasifikuar dhe përbëhet nga disa faza, përfshirë seleksionimin dhe testimin.
“Kandidatët mund të aplikojnë në më së shumti dy fusha. Përzgjedhja për pozitat përkatëse do të bëhet varësisht nga kualifikimet, kriteret dhe kushtet e përgjithshme të përshkruara në konkurs si dhe kriteret dhe kualifikimet tjera specifike, të brendshme. Kandidatët mund të testohen në lidhje me aftësitë dhe shkathtësitë e përcaktuara në konkurs dhe aktet e brendshme normative”, thuhet në njoftim.
Kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë aplikacionin për punësim dhe të bashkëngjitin dokumentet apo dëshmitë si në vijim: letër motivimi (pritjet nga vendi i punës dhe qëllimet e karrierës); kopjet e dëshmive për përfundim të studimeve të lëshuara nga institucionet arsimore. Kandidatët që kanë përfunduar shkollimin jashtë vendit duhet të sjellin diplomë të nostrifikuar; kopja e dëshmisë së shkollës së mesme (për fushat për të cilat kërkohet kualifikimi i mesëm); kopja e dëshmisë së shkollës fillore (për fushën për të cilën kërkohet kualifikimi fillor); dëshmi për përvojën e punës; kopje të dëshmive për kualifikime të tjera, certifikatat e trajnimeve apo formave tjera të aftësimit profesional; certifikata e lindjes ose ekstrakti i lindjes; kopja e letërnjoftimit ose pasaportës (valide); një fotografi të formatit 5×5 (jo më e vjetër se një muaj); certifikatë mbi dënimet penale (e lëshuar nga KGJK, jo më e vjetër se tre muaj).