AKK: Lufta kundër korrupsionit me rëndësi jetike

Në përputhje me kompetencat ligjore, Agjencia Kundër Korrupsionit, ka nisur procesin e hartimit të strategjisë kombëtare kundër korrupsionit për periudhën pesëvjeçare 2018-2022.

Grupi punues të cilit i është besuar detyra e hartimit të këtij dokumenti strategjik për luftën kundër korrupsionit në përbërjen e vet përfaqëson një spektër të gjerë të institucioneve qendrore dhe lokale dhe të shoqërisë civile. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga AKK.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka vënë theksin te domosdoshmëria e të pasurit një dokument strategjik cilësor, por edhe te pesha e momentumit politik për shfaqjen e rezultateve bindëse në luftën kundër korrupsionit.

“Puna që po nisim sot kalon kornizat e një aktiviteti të rëndomtë dhe merr premisat e një dokumenti me interes kombëtar jo vetëm për rekomandimet nga MSA-ja, Raporti i Progresit apo edhe liberalizimin e vizave, por edhe për faktin se javën që shkoi, Kuvendi i Kosovës miratoi Agjendën për Reforma për Integrime Evropiane dhe lufta kundër korrupsionit është me rëndësi jetike në përmbushjen e kësaj agjende”, tha Havolli.

Drejtori i Agjencisë tha se Strategjia Kundër Korrupsionit 2018-2022 në përmbajtjen e saj duhet të udhëheqë drejt forcimit të integritetit institucional, promovimin e vlerave të qeverisjes së mirë dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve karshi institucioneve të shtetit, dhe për këtë kërkoi një bashkëpunim dhe bashkërendim serioz ndërinstitucional. Shaip Havolli u zotua për ndihmë të pakursyer, mbështetje të plotë dhe bashkëpunim pa rezerva për secilin institucion.

Më tej thuhet se pjesëmarrësit në takim nënvizuan nevojën për vendosjen e objektivave të qartë, të saktë dhe lehtësisht të matshëm, si dhe nevojën për një rol më aktiv të organizatave të shoqërisë civile në mbikëqyrjen e zbatimit të Strategjisë dhe planeve të veprimit.

Hartimi i Strategjisë Kundër Korrupsionit 2018-2022 do të ketë mbështetjen teknike, profesionale dhe financiare të Programi të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Këshillit të Komisionit Evropian.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme