Një aksident ka ndodhur pasditen e kësaj të marte në aksin nacional Delvinë-Sarandë, ku një 65-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është përplasur nga një autobus.
Ngjarja ka ndodhur pranë kthesës që të çon në fshatin Bajkaj, në afërsi të një pike karburanti. Sipas informacioneve, autobusi i linjës Delvinë-Sarandë, me targë AB017PD dhe me drejtues Vangjel Zoto, ka goditur 65-vjeçarin Agim Vocka, banor i fshatit Bajkaj, i cili ishte duke lëvizur në këmbë.
Pas aksidentit, drejtuesi i autobusit është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur më vonë nga shërbimet e Policisë së Delvinës.
Ndërkohë i plagosuri Agim Vocka është transportuar fillimisht me ambulancë drejt spitalit të Sarandës.
Sipas bluzave të bardha, gjendja shëndetësore e 65-vjeçarit është e rëndë. Si pasojë e përplasjes, ai ka pësuar traumë të rëndë në kokë, frakturë dhe hemorragji cerebrale dhe ndodhet në koma cerebrale.
Për shkak të gjendjes së rënduar, është vendosur transportimi i tij drejt Spitalit të Traumës në Tiranë me helikopter.
The post Aksident në Delvinë-Sarandë, autobusi përplas këmbësorin, transportohet me helikopter drejt Traumës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



