Situatë alarmante në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Kafshët përpëliten në temperatura të larta, pa ujë dhe të sëmurë

Këto janë pamjet e siguruara nga News24 këtë të martë në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, ku në temperatura që arrijnë deri në 38 gradë Celsius, kafshët shihen të rraskapitura, të lodhura e të sëmura, ndërsa përpiqen, në një ambient që nuk i ngjan aspak habitatit të tyre natyror, të kapin hijet e rralla që mund t’i mbrojnë nga dielli përvëlues.

Arinjtë, luani, ujku, por edhe kafshë të tjera, si lopët dhe kuajt, shihen duke u përpëlitur nga vapa dhe etja, në ambiente që të lenë dyshimin se nuk ofrojnë kushtet minimale për përballimin e këtij të nxehti ekstrem që ka përfshirë vendin këtë gusht.

Bie në sy menjëherë se uji për to është i pamjaftueshëm dhe në kushte që ngrenë pikëpyetje për higjienën e tij, por një tjetër pamje është edhe më alarmante.

 

Një prej ujqërve të Kopshtit Zoologjik qëndron në zonën e rrethuar të tij, me plagë në trup, ndërsa nuk dihet nëse po merr trajtimin e nevojshëm veterinar.

Kafshët nuk mund të tregojnë se kanë etje, se po vuajnë nga nxehtësia apo se kanë dhimbje, nuk mund të të largohen nga aty, nuk mund të kërkojnë ndihmë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, në ditët kur temperaturat përvëlojnë vendin, përgjegjësia e njerëzve dhe institucioneve për mirëqenien e tyre bëhet edhe më e madhe. Njeriu që i ka vendosur aty, ka edhe përgjegjësinë për t’u garantuar atyre kushtet e jetesës, kujdesin dhe mbrojtjen që meritojnë.

Kopshti Zoologjik i Tiranës është një hapësirë që vizitohet çdo ditë nga turistë dhe qytetarë. Por pamjet që shihen sot, janë jo vetëm një pamje e pakëndshme, por edhe shqetësuese e alarmante. Ato nuk duhet të kalojnë thjesht si një tjetër lajm i ditës. Ato duhet të shërbejnë si një thirrje për kontroll, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.

Sepse pas hekurave nuk qëndrojnë objekte ekspozimi. Janë qenie të gjalla, të vendosura në një hapësirë nga ku nuk mund të largohen dhe nuk mund të kujdesen për veten. Vizitat e njerëzve nga dashuria dhe kureshtja për kafshët mund të jenë arsyeja pse ekziston një kopsht zoologjik, por nuk mund të jetë kurrë arsyeja që banorët e tij të vuajnë.

The post Situatë alarmante në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Kafshët përpëliten në temperatura të larta, pa ujë dhe të sëmurë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme