Një aksident është regjistruar në zonën e Vaqarrit pasditen e sotme, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Sipas informacioneve paraprake, në njërin prej mjeteve ndodhej një grua shtatzënë, e cila udhëtonte së bashku me 6 fëmijë, të cilët ishin nisur për të luajtur kalçeto.
Gazetarja Xhensila Kodra bën me dije se si pasojë e aksidentit, disa prej fëmijëve kanë marrë dëmtime të lehta dhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.
Fatmirësisht, gruaja shtatzënë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa nuk raportohet për persona në rrezik për jetën.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.



