Aksidenti tragjik që ndodhi në orët e para të ditës së martë në Bullgari, në të cilin humbën jetën 46 persona, konsiderohet si aksidenti më i rëndë automobilistik që ka ndodhur në 10 vjetët e fundit në Evropë.
Më poshtë, renditën disa nga aksidentet më tragjike dhe më të mëdha të autobusëve që kanë ndodhur në kontinent në 10 vjetët e fundit.
2021- Aksidenti në Bullgari
Të paktën 46 persona, duke përfshirë 12 fëmijë, humbën jetën me një autobus që udhëtonte nga Stambolli për në Shkup, kryeqytet i Maqedonisë së Veriut. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit, ndërsa mësohet se pas përplasjes shpërtheu në flakë. Shumica e viktimave janë shqiptarë.
2019- Aksidenti në Portugali dhe Rusi
29 turistë gjermanë humbën jetën në Portugali, pasi autobusi i tyre doli nga rruga në ishullin malor të Madeira me datë 18 prill. 19 persona humbën jetën në Rusi, pasi një autobus humbi kontrollin dhe ra nga një urë, duke përfunduar në një lumë të ngrirë në Siberi me datë 1 dhjetor.
2018- Aksidenti në Turqi dhe Bullgari
17 emigrantë të cilët po tentonin të kalonin mes përmes Turqisë humbën jetën, ndërsa 36 të tjerë mbetën të plagosur kur autobusi i tyre shpërtheu nga flakët, pas përplasjes me një shtyllë në lindje të vendit. Shumica e viktimave ishin iranianë, afganë dhe pakistanezë.
Gjithashtu, 20 pelegrinë humbën jetën në Bullgari, pasi autobusi i tyre u përmbys si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në veri të Sofjes, gjatë një udhëtimi drejt një manastiri ortodoks me datë 25 gusht.
2017- Aksidenti në Gjermani, Itali dhe Rusi
18 turistë nga Saksonia humbën jetën pasi autobusi i tyre u përfshi nga flakët, pas një aksidenti me një kamion në Bavari me datë 3 korrik. 16 persona humbën jetën në Itali, kryesisht të rinj hungarezë, që ktheheshin nga një udhëtim malor në Francë. Ata humbën jetën me datë 21 janar, pasi autobusi i tyre mori flakë pas një aksidenti pranë qytetit verior të Veronës.
Edhe në Rusi, në të njëjtin vit, 16 persona humbën jetën kur një tren u përplas me një autobus që po transportonte kryesisht pasagjerë uzbekë, në një kalim hekurudhor në lindje të Moskës, me datë 6 tetor.
2015- U shënua fatkeqësia më e rëndë në 30 vjet
43 persona humbën jetën në Francë, duke regjistruar kështu aksidentin më të rëndë në 30 vitet e fundit, pasi një autobus që po transportonte një klub pensionistësh u përplas me një kamion dhe mori flakë pranë Pusegen, në pjesën jugperëndimore të vendit. Aksidenti ndodhi me datë 23 tetor.
2014- Shpërthimi i autobotit
Një autobot, i cili po transportonte gaz të lëngshëm (LPG) u përmbys dhe shpërtheu në një autostradë në juglindje të vendit me datë 22 korrik, duke vrarë 26 persona në dy autobusë. 21 persona të tjerë humbën jetën në Turqinë qendrore më datë 23 janar, kur autobusi i tyre u përmbys për shkak të ngricës në rrugë.
2012- 22 fëmijë të vrarë
28 persona humbën jetën në Zvicër, mes tyre 22 fëmijë, për shkak të një aksidenti në Sierra në jug të Zvicrës, ndërsa po ktheheshin në Belgjikë nga një pushim me ski. Ngjarja ndodhi me datë 13 mars.
2011- Humbin jetën dhjetëra studentë në Turqi
25 persona, kryesisht studentë, humbin jetën kur një kamion i ngarkuar me tulla u përplas me një autobus pranë Salat, një fshat në provincën juglindore të Dijarbakirit, më datë 21 dhjetor./Alsat