Aktakuzë për shpërlarje të parave

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prizren kundër të pandehurit V.F. nga Prizreni, për vepër penale “Shpërlarje parash”, e paraparë në nenin 308 të Kodit Penal të Kosovës dhe nenin 32 të Ligjit mbi parandalimin e shpërlarjes se parave dhe financimin e terrorizmit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.F. gjatë periudhës kohore 2014-2016, ka pranuar mjete monetare nga një person NN, se pari ka deponuar në xhirollogari personale nën vlerën prej 10 mijë euro pastaj të njëjtat, menjëherë i ka transferuar për në shtete jashtë Republikës se Kosovës, Kinë, Zvicër etj.

“I pandehuri në këtë mënyre kishte vepruar në 17 raste, ku shuma e transfereve arrin vlerën mbi 170 mijë euro”, thuhet në komunikatë.

I pandehuri, në këtë mënyre, kishte pranuar provizion dhe ia kishte mundësuar personit NN, shpërlarjen e parave, gjë që edhe vet kishte kryer veprën penale “shpërlarje parash”, e paraparë me ligjet e lartcekura.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës, i PSRK-së, i cili ka propozuar Gjykatës, që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.