
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Alarmet e shpeshta në shkollat e Tetovës shkaktojnë revoltë. Për kërcënimet e rreme, ditë më parë policia ndaloi 3 të mitur nga fshati Gurgurnicë, komuna e Bërvenicës. Sipas ekspertëve, veprimet e tilla të fëmijëve ndodhin për shkak të mungesës së informimit për peshën e veprës që kryejnë.
“Në bisedë e sipër me fëmijët kemi parë se ata nuk janë aspak të vetëdijshëm për seriozitetin dhe alarmin që mbart një alarm i tillë i rrejshëm. Nuk kanë idenë se çfarë pasojash mund të sjell një vepër e tillë, dhe kjo vjen si pasojë e edhe mos kontrollimit nga ana e prindërve dhe lëshimi i tepërt individual i fëmijëve të jenë të pavarur dhe mos kontrolli nga ana e prindërve.”, deklaroi Fitore Saiti punonjëse e Qendrës për punë sociale me të mitur.
Nga ana tjetër, juristët rekomandojnë uljen e moshës së përgjegjësisë penale dhe ndryshimin në Ligjin për të Mitur.
“Më se e nevojshme është që mosha e përgjegjësisë të zvogëlohet të bëhet që nga mosha 13 vjeçare të ndiqet penalisht, sepse kohëve të fundit në Maqedoni të Veriut por edhe në rajonin e Pollogut është bërë shumë i shpeshtë”, tha Miralem Asani, Jurist.
Me muaj të tërë shkollat në vend, sidomos në Tetovë përballen me alarme të rreme për bomba. Një ditë më parë Sektori i Punëve të Brendshme njoftoi se deri më tani 5 persona, shumica të mitur janë të dyshuar për kërcënimet. / Alsat.mk.



