Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një bashkëbisedim me Këshillin e Atlantikut se Serbia duhet të njohë dokumentet e Kosovës, nëse nuk e njeh shtetin e Kosovës në një kohë të afërt.
Ai po ashtu propozoi një Proces të Berlinit më të sofistikuar ku Gjermania do të udhëhiqte dhe do të kishte afate për të cilat shtetet e Ballkanit Perëndimor do të punonin për t’i arritur që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit në BE.
“Gjermania të udhëheqë. Me një Proces të Berlinit më të sofistikuar ta quajmë “Procesi i Berlinit 2.0”, le të ketë afate kohore që ne të punojmë brenda tyre. E kam propozuar që të jemi pjesë e një tregu të përbashkët”, thotë ai.
Tutje ai thotë se mosnjohja e dokumenteve të Kosovës nga Serbia është absurditet.
“Duhet që Serbia të njohë dokumentet tona. Presidenti Vuçiq mundet së paku të njohë dokumentet tona. E di që ata thonë se me njohjen e dokumenteve mund të thuhet se ka ndodhur njohja e Kosovës. Do të doja që më ët vërtetë të na njohin sa më shpejt. Por nëse nuk e mundur për momentin. Shtete tjera sikur Greqia e të tjera që nuk na njohin na njohin dokumentet. Kjo do të përshpejtonte lëvizjen e lirë. Por ai nuk e lejon këtë. Qytetarët kosovarë që kalojnë nëpër pikat kufitare me Serbinë, roja kufitare aty ua merr të dhënat biometrike dhe ua dorëzon një letër ku thuhet se karta e identitetit më ka humbur më 1999. Mund edhe të mos kesh lindur në atë vit fare. Kjo është absurditet. Pastaj nëse policia të ndalon brenda Serbisë, e nuk ua tregon atë letër por dokumentet e Kosovës, atëherë arrestohesh”, shtoi ai.