Bullgaria dhe Kosova ndajnë qëllime dhe interesa të përbashkëta, tha në një intervistë për Agjencinë Bullgare Telegrafike (BTA), Albin Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mori një fitore të madhe në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë me gati 48% të votave nga të dhënat paraprake.
Në këtë intervistë, Kurti ritheksoi atë që tashmë është fjalia kryesore e deklaratave të tij pas zgjedhjeve, se dialogu me Serbinë s’është prioritet për të.
“Ne do të bëjmë një lëshim dhe do ta bëjmë dialogun me Serbinë prioritetin numër katër – pas vendeve të punës, drejtësisë dhe pandemisë COVID-19”, tha Kurti.
Ai shprehu shpresën për një dialog të sinqertë nën kujdesin e Brukselit dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, bazuar në reciprocitet dhe barazi.
Kurti e përshkroi Bullgarinë si një aleat të ngushtë të Kosovës dhe tha se Prishtina mund të mësojë shumë nga Sofja për integrimin evropian.
Kreu i LVV-së thotë se Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian dhe shpreson që qeveria e tij e ardhshme do të punojë ngushtë me Bullgarinë si për integrimin evropian të Prishtinës ashtu edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, në të cilat tha se mund të arrihet një shkëmbim shumë më dinamik ekonomik dhe kulturor.
Albin Kurti theksoi se integrimi i Kosovës në BE është një proces që po vijon shumë ngadalë, duke theksuar se vendi nuk ka marrë ende liberalizimin e vizave, megjithëse i ka përmbushur të gjitha kriteret. Ai shprehu synimin e tij për të punuar intensivisht me pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës – Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron.
Kurti tha se do të përpiqet t’i bindë ata se nuk duhet të kenë frikë të njohin pavarësinë e Kosovës dhe se nuk duhet të krahasohen me Serbinë, për të cilën ai tha se kreu gjenocid më 1999.
Lideri i Vetëvendosjes tha se Ballkani dhe BE-ja janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin dhe se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë ende jashtë Bashkimit, duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndër çështjet kryesore ku do të përqendrohet kabineti i ardhshëm i Kosovës, Kurti theksoi se është çështja e vendeve të reja të punës dhe drejtësinë. Papunësia në vend arrin 40% dhe kreu i Vetëvendosjes planifikon të punojë shumë për të investuar në punë, veçanërisht midis të rinjve dhe grave. Kjo, së bashku me vendosjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit, ai tha se do të lejojë që vendi të dalë nga cikli i krizave dhe të shkelë në binarët e përparimit socio-ekonomik.
I pyetur për koalicionet, Albin Kurti tha se përveç Listës së Vjosa Osmanit, partia e tij nuk sheh partnerë tjerë të mundshëm në asnjë nga partitë e “regjimit të vjetër”.
Ai shprehu synimin e tij për të kërkuar mbështetje nga përfaqësuesit e pakicave joserbe dhe ligjvënësit individualë të opozitës që vendosin të përfaqësojnë zgjedhësit e tyre më shumë sesa partitë të cilave u përkasin.