Prokurori Vesel Gashi ka hequr dorë nga dëgjimi i Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit.
Kreu i Kuvendit Kadri Veseli ishte paraparë të dëshmojë sot në këtë proces mirëpo ende nuk janë të qarta arsyet e mosdëshmisë së tij.
Heqja dorë nga dëshmia e Veselit është kundërshtuar nga mbrojtja ndërsa Albin Kurti e ka pyetur prokurorin nëse ai është i kapur pasi hoqi dorë nga dëshmia e Veselit.“Prokuror pse hoqe dorë? A je i kapur?” ka pyetur Kurti ndërsa deputetja Haxhiu ka kërkuar sqarime pse zyrtarë të protokollit janë thirrur për të dëshmuar e Kadri Veseli jo.
Arsyetimi zyrtar i prokurorit për mosparaqitjen e Veselit është se dëshmia e tij është e ngjashme.
KALLXO.com raportoi sot më herët se për shkak të shtyrjes për një orë të seancës Kadri Veseli nuk do të dëshmojë në gjykimin e sotëm të deputetëve të VV-së.
Kabineti i kryetarit Kuvendit të Kosovës tregon për KALLXO.com se Veseli ishte në gjykatë në orën 9:00, por e ka të pamundur për shkak të agjendës të jetë atje një orë më vonë.
“Për shkak të ndërrimit të kohës së seancës, pa njoftim paraprak, dhe agjendës së planifikuar më herët, në takime dhe aktivitete të tjera ditore, ai e ka të pamundur të merr pjesë në seancë gjyqësore”, shpjegon kabineti i kryetarit Veseli.
Tashmë, siç merret vesh nga brenda seancës, Kurti dhe Haxhiu janë larguar nga salla e gjykatës.