Alda Bardhyli Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Alda Bardhyli një emër i njohur në botën e librit dhe botimeve do të drejtojë Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti e cila në një njoftim në Facebook shkruan :”Hapja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, puna për të cilën ka nisur prej kohësh, është lajmi i mirë i këtij fillimviti. I urojmë suksese drejtores së QKLL, Alda Bardhyli, në këtë sfidë të re, në orientimin sa më të mirë, të politikave tona, që lidhen me një fushë kaq të rëndësishme, siç është libri”.

Qëndra Kombëtare e Librit u hap një vit më parë me vendim të Këshillit të Ministrave.

Qëllimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe atë botëror.

Si përgjegjësi kryesore e Qendrës janë funksionet që lidhen me mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e krijimtarisë letrare e të përkthimit, duke kontribuar edhe në zhvillimin e politikave në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit harton programet dhe financon projektet në fushën e librit.

Po ashtu, kjo qendër mbështet botimet e librave dhe të revistave në fushën e letërsisë e të shkencave shoqërore edhe në format të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara. Qendra, nëpërmjet buxhetit të saj të miratuar për çdo vit kalendarik, financon projekte të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre fushën e librit. Realizimi i projekteve miratohet me urdhër të titullarit, pas propozimit nga kolegjiumi i QKLL-së.

Bardhyli vjen në këtë post pas një karriere të gjatë në fushën e botimeve dhe medias. Prej disa vitesh ajo ishte Drejtore e Botimeve UET PRESS pranë Universitetit Europian të Tiranës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme