“Aleanca për Shqiptarët” me tre përfaqësues do të shkojë te Ali Ahmeti, Sela, Memedi dhe Ostreni

Aleanca për Shqiptarët jo vetëm që do të merr pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, por do të ketë tre përfaqësues në këtë takim, njoftojnë burime partiake për Gazetën Lajm. Sipas këtyre burimeve, në takim te Ahmeti do të marrin pjesë kryetarët e tri partive që përbëjnë APSH-në: Zijadin Sela i LR-PDSH-së, Vesel Memedi i RDK-së dhe Gëzim Ostreni i UNITETI-t. Njëjtë sikurse Ahmeti edhe ata do të jenë të shoqëruar nga një bashkëpunëtor i afërt.

Burime partiake thonë se Ahmetin nuk pritet ta shqoërojë më Artan Grubi, për shkak të rezultatit zgjedhor më 11 dhjetor, por sipas të gjitha gjasave do ta shoqërojë Bujar Osmani.

Takimi është caktuar nesër ora 13 në hotelin Alexandre Palace në Shkup.

Ahmeti, për dallim prej më herët, tani po tregohet tejet kooperativ me faktorin politik shqiptar, që len dyshime se ai vetëm se po aktron fator unifikues, për t’i ikur përgjegjësisë për rënien prej 70 mijë votave që pati BDI më 11 dhjetor, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014.

Gazeta Lajm ka shkruar se për shkak të informacioneve se përfaqësues të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së veçmë janë duke zhvilluar negociata mes veti, një pjesë e opozitës është skeptike ndaj apelit të Ahmetit për t’u ulur në një tryezë.

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi njoftoi se ftesa e Ahmetit do të shqyrtohet në mbledhje të kryesisë partiake.

“Po, është e vërtetë se kemi pranuar ftesën e z.Ahmeti. Ai na ka ftuar përmes telefonit dhe jo në formë të shkruar. Sonte do të kemi mbledhje të kryesisë qendrore dhe do të vendosim se a do të marrim pjesë në takimin e thirrur nga kreu i BDI-së”, deklaroi shkurt, Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes BESA.

Nga PDSH deri tani nuk kanë asnjë reagim lidhur me ftesën e Ahmetit.