Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se nuk ka njoftim zyrtar se po hetohet lidhur me rastin e ambalazhuesve.
“Betimi për Drejtësi” ka bërë të ditur se Prokuroria ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve, teksa Aliu po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Unë s’kam asnjë informacion zyrtar. Gjitha informatat për zgjerim të hetimeve i kam marrë në media. Pa e pasur një vendim zyrtar s’mund të deklaroj. Unë e shpreh gatishmërinë time që të bashkëpunoj në zbatim të ligjit. Jam në dispozicion të drejtësisë e zbatimit të ligjit në këtë pikë pa asnjë hezitim”, tha Aliu në konferencë për media.
Aliu ka folur edhe për aksionet e ndërmarra këtë vit në mbrojtje të mjedisit.
Ai ka thënë se vetëm gjatë këtij viti task-forca e mjedisit ka ndërmarrë mbi 20 aksione, sidomos nëpër lumenj e po ashtu nëpër paqe.
“Këto aksione kanë pasur një efikasitet mjaft të mirë. Por, kjo e sjellë domosdoshmërinë që përpos task-forcës të ketë një sistem e ligj që mundëson këtë…Kur flasim për ndarjen e nënkuptojmë që niveli komunal i menaxhimit të mbeturinave të jetë shumë më i decentralizuar”, tha Aliu.
Për çështjen e autostradës së Gjilanit dhe rrugën për Gjakovë, Aliu ka thënë se janë projekte me probleme “por ka një progres të madh”.
“Mendoj që ka një progres të madhe por s’mundem me ju dhanë datë. Kur iu është dhënë premtimi që do të kryhet ka qenë një gabim dhe as për së afërmi nuk ka qenë gati”, ka deklaruar Aliu.