ALSAR rikthen me një botim anastatik revistën e shqiptarëve të Amerikës, “Jeta muslimane shqiptare”

Botimeve anastatike të ALSAR-it sapo u është shtuar një titull i ri. “Jeta muslimane shqiptare” vjen si një tjetër fryt i përpjekjeve të pareshtura të fondacionit për të risjellë botime të mbuluara nga pluhuri i kohës dhe harresës.

Revista në fjalë gjallëroi jetën fetare dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës në mesin e shekullit të kaluar. Ajo u botua në Detroit nën prijësinë e Imam Vehbi Ismailit, autoritetit fetar me kontribut të paçmueshëm. Konceptuar dhe botuar në shqip dhe anglisht, revista ishte botim i Shoqërisë Muslimane Shqiptare.

E nxjerrë katër herë në vit, duke nisur nga 1949-ta e për gati dhjetë mote, “Jeta muslimane shqiptare”, ndonëse ka vendin e saj të merituar në historikun e shtypit periodik islam, edhe të shqiptarëve të mërguar, pak është patur në vëmendje, pak është cituar apo marrë në shqyrtim.

Në këtë harresë duhet të ketë ndikuar dhe fakti i pamundësisë së studiuesve për ta gjetur botimin periodik fetaro-kulturor. Fondacioni ALSAR pati kështu tërë arsyet për ta botuar atë çka kishte mundur të gjente.

Botimi anastatik i tre prej 32 numrave të revistës është një mundësi e mirë për të çmuar nivelin e një periodiku të tillë, për të parë larminë e tematikës, për të kuptuar sadopak nga jeta fetare islame e një bashkësie në mërgim.

“Jeta muslimane shqiptare” nuk pasuron vetëm bilancin botues të ALSAR-it, por dhe çdo bibliotekë! Lëvruesit sot të një publicistike të ngjashme kanë ç’të mësojnë prej saj nëpërmjet botimit anastatik.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme