Rusia nuk është përzier, nuk përzihet dhe nuk ka për qëllim të përzihet në punët e brendshme të asnjë shteti e as në Maqedoninë e Veriut, thuhet në reagimin e Ambasadës së Federatës së Rusisë në Shkup, si kundër përgjigje ndaj deklaratave të presidentit Stevo Pendarovski në disa media, i cili ka folur për aktivitetet e Rusisë në vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit në përgjithësi.
“I hedhim poshtë akuzat e dërguara kundër vendit tonë. Kjo është në kundërshtim me vetë filozofinë e politikës së jashtme ruse. Është e njohur mirë se përpjekjet e këtilla asnjëherë nuk e sjellin efektin e dëshiruar dhe në fund i deskriditojnë ata të cilët përdorin metoda të tilla”, thuhet në kumtesën e ambasadës ruse. Në të shtohet se Rusia e respekton cilëndo qoftë zgjidhje të popullit maqedonas./ Alsat.mk