Ministri i Punëve të Jashmte të Kosovës, Behgjet Pacolli, priti në një takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Dider Chabert.
Sipas komunikatës së MPJ-së në takim u diskutua për marrëdhëniet midis dy vendeve, bashkëpunimin në fushën e njohjeve të Kosovës, në zona të ndryshme gjeografike ku Franca ka ndikim të veçantë, dhe përgatitjet për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ministri Pacolli, vlerësoi kontributin e Francës në gjithë proceset më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe e njohu mysafirin me pikëpamjet e tij për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, që u vlerësuan mjaft nga bashkëbiseduesi i tij.
Ambasadori Chabert e njohu ministrin Pacolli me vullnetin e palëkundur të vendit të tij dhe të Perëndimit në përgjithësi, për ta mbështetur Kosovën dhe në këtë fazë të zhvillimit të saj.
Diplomati francez i i dorëzoi ministrit Pacolli gjithashtu një letër të ministres për Çështje Europiane, Nathalie Loiseau. Në letër, ministrja franceze e falënderonte zotin Pacolli për takimin gjatë vizitës së tij në Paris dhe për shkëmbimin e hapur të pikëpamjeve gjatë këtij takimi. Në përgjigje të ftesës së zotit Pacolli, ministrja Loiseau shpreh gjithashtu dëshirën e delegacionit francez për të marrë pjesë në festimet e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ambasadori shprehu brengën e Francës, si shtet partner dhe mbështetës i Kosovës, për lëvizjet e brendshme në Republikën e Kosovës gjatë ditëve të fundit.