E martë, 15 Nentor 2016 – Sakte.net /
Ramiz Lladrovci prej gushtit të 2014-ës ishte në pozitën e ushtruesit të detyrës së ambasadorit të Kosovës në Shqipëri.
Mirëpo, pas shpalljeve të zgjedhjeve të reja në Drenas, Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryetari Kadri Veseli ka vendosur që ta kandidojë Lladrovcin për kryetar të kësaj komune, ndonëse një pjesë e partisë nuk ishte pajtuar me këtë propozim, shkruan Indeksonline
Ish-deputeti i PDK-së gjatë shërbimit si diplomat u pagua me pagë fikse 3365.81 euro në muaj, ndërsa 40,389 € për një vit. Sipas një përllogaritje del se prej 2014-ës e deri më sot Lladrovci ka marrë afro 100 mijë euro.
Ndërsa, nëse i njëjti zgjidhet kryetar i Komunës së Drenasit, paga e tij mujore do të jetë dyfish më e vogël. Rroga e një kryetar të Komunës në Kosovës është mbi 1200 euro. Në një prononcim për “Indeksonline”, Lladrvoci thotë se misioni i tij i ri është vetëm në shërbim të qytetarëve të Republikës, e jo për para.
“Pse a po jau merr mendja që unë kam shku dikun me punu për rrogë…? Unë kur kam hyrë në luftë nuk e kam menduar se a do të dal prej luftës i gjallë apo jo, a do të punoj diku apo s’do të kem mundësi. Unë jam në shërbim të qytetarit. Kudo që e sheh të arsyeshme partia jeme, unë aty jam. S’kam punuar asnjëherë në jetën tem për pagë, sepse me dashtë me punu për pagë dal në biznis”, është shprehur ai.
Më tej, Lladrovci thotë se është tejet i sigurt se do ta marr timonin e kryetarit të Drenasit. Sipas tij, kundërshtarët politik janë të frikësuar nga kandidatura e PDK-së për të parin e kësaj komune.
Kurse, “Indeksonline” ka pyetur atë lidhur me humbjen eventuale në këto zgjedhje se; “A do të kthehej përsëri në diplomaci”, mirëpo Lladrovci u treguar i bindur se nuk do të humbas në këtë garë.
“Mos u tall zotëri gazetar!. Këto pyetje ua bën atyre që janë rival të mi. Nuk ka logjikë kjo pyetje të më bëhet mue, por rivalëve të mi. Jam i bindur 100% që do të fitojë. Rivalët e mi i ka kapluar frika dhe po e shohin humbjen për çdo ditë”, është shprehur ai.
Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kishte qenë personi që vendosi për ta ngarkuar me punë si shef të misionit diplomatik të Kosovës në Tiranë, ish-deputetin Lladrovci.
Në këtë pozitë, ai zëvendësoi ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimin, i cili ishte Ambasador kur u ftua për t’u gjykuar me pretendimet se ka kryer “krime lufte”. /Indeksonline/