Amerikanët me fakte për krimet e Aleksandër Vuçiqit/ Ja mesazhi që i dërguan emisarët e SHBA-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka kërkuar edhe njëherë njohjen e Kosovës presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim”, ka shkruar ndër tjerash Biden në letrën e dërguar Vuçiqit.

E kjo kërkesë sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, tregon se sa seriozisht e ka SHBA zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është interesant se në këtë letër urimi gjen vend edhe Kosova e madje kërkesa e përsëritur për ta përmbyllur dialogun me Kosovën me epilog njohjen e ndërsjellët. T’i kërkosh presidentit të Serbisë njohjen e Kosovës në letrën e urimit për ditën e shtetësisë serbe, është një ngjarje. Kjo tregon se SHBA-të tashmë janë angazhuar seriozisht në zgjidhjen e krizës dhe konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve. Edhe vizita e të dërguarit amerikan Grabriel Escobar para disa ditësh në Prishtinë dhe në Beograd ishte dëshmi e këtij përkushtimi. Ndoshta ishte hera e parë që amerikanët ishin të qartë dhe konkretë! Sollën për Kosovën dhe Serbinë një projekt, me të cilin palët mund të mos pajtohen, por që me atë projekt shpalosën modelin e zgjidhjes së këtij konflikti”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image

 Sipas tij, emisarët amerikanë ia kanë bërë të qartë Vuçiqit se konflikti me Kosovën duhet mbyllur.

“Unë mendoj se letra e Biden për Vuçiq nuk është e nuk duhet konsideruar si shuplakë. Ajo është një kërkesë e përsëritur e Shtëpisë së Bardhë. Siç e dimë, edhe me 4 shtator 2020 ishte vënë në projekt-marrëveshje nga administrata Trump kërkesa që pas një viti Serbia ta njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran. Më pas Biden e vendosi këtë kërkesë mbi tavolinën e tij dhe e ka përsërit disa herë. Jam i bindur se emisarët amerikanë ia kanë bërë të qartë Vuçiqit se konflikti me Kosovën duhet mbyllur”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se kërkesa e fundit e presidentit amerikan vjen në një moment historik.

“Të gjithë mendojnë se konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, ose më saktë përgatitjet ruse për të pushtuar shtetin sovran të Ukrainës, do të nxisë Serbinë të aplikojë politika destruktive dhe destabilizuese në Kosovë e në rajon. Por duket se nuk është kështu. Unë shoh te Serbia një lloj frike nga sulmi rus mbi Ukrainë. Në Beograd e shohin intervenimin e Moskës kundër Kievit si dobësim të pozitës ndërkombëtare të Kremlinit. Në këtë rast Serbia do të gjendej e pambrojtur”, shpjegon Bytyçi.

Ai shton se zhvillimi i ngjarjeve në kufirin ruso-ukrainas është dhe do të jetë në disavantazh të pozicionit politik e diplomatik të Serbisë.

“Prandaj dhe letra e zotit Biden është me domethënie dhe në një moment kur në Beograd po mendojnë për një pozicionim të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta ruse kundër Ukrainës nuk e ndihmon Serbinë, sepse sanksionet që do t’i vihen Moskës do ta venë në dilemë Beogradin, i cili do të duhet të mendojë si të dalë nga izolimi. Prandaj dhe letra është llogaritur me kërkesën për njohjen e Kosovës si një moment presioni shtesë ndaj liderit serb. Presioni ndaj Vuçiq ka nisur herët”.

Por a mund të përfundojë Vuçiq nën llupen e sanksioneve amerikane për shkak të qasjes së tij ndaj Kosovës?

“Ai është kërcënuar nga përfaqësuesit amerikanë se do t’i vendosen sanksione, në mos drejtpërdrejt atij, djalit dhe vëllait të tij. Amerikanët mesa duket kanë prova për implikimin e presidentit serb me organizatat kriminale. Të gjitha këto shërbejnë si presione të drejtpërdrejta ndaj tij për ta detyruar që të nënshkruajë njohjen e Kosovës, shtet sovran e të pavarur. Kjo kërkesë bëhet në antitezë me qëndrimin evropian, të cilët kërkojnë “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, midis Kosovës dhe Serbisë. Kërkon më shumë se gjithë përfshirje, kërkon njohje të ndërsjelltë”, thekson profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Bytyçi deklaron se Aleksandër Vuçiq po mashtron elektoratin në Serbi për mosnjohjen e Kosovës.

“Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se Vuçiq nuk reagon me ashpërsi, madje as në formë kundërshtuese të butë ndaj letrës dhe kërkesës së presidentit amerikan. Nga deklaratat e tij ne shohim një lloj justifikimi. Vazhdimisht po përsërit këto kohët e fundit se “jemi nën presion“, se “amerikanët duan njohjen e Kosovës” dhe më pas angazhohet se “nuk do ta njohë Kosovën”! Por kjo deklaratë për mosnjohje duket si një lloj mashtrimi elektoral”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi deklaron se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të përfundojë në një periudhë aq të shkurtër.

“Mesa duket edhe amerikanët e evropianët presin që të përfundojnë zgjedhjet presidenciale të prillit të ardhshëm në Serbi e më pas të angazhohen konkretisht në mbylljen e dialogut. Por përsëri nuk e shoh krejt të lehtë këtë rrugëtim. Serbisë do t’i duhet të ndryshojë kushtetutën dhe kjo duhet bërë sipas Vuçiq përmes referendumit. Është shumë euforike ta besojmë se serbët do të votonin për ndryshime kushtetuese, me të cilat Kosova nuk është pjesë e sovranitetit të shtetit serb”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme