Kryeministri Ramush Haradinaj po komunikon në mënyrë të dyfishtë kur bëhet fjalë për Gjykatën Speciale. Në mediet ndërkombëtare po shfaqet më i butë dhe konstruktiv, duke thënë se Specialja nuk do të shfuqizohet. Ndërsa në intervistat në Kosovë po flet si një popullist, duke lënë përshtypjen e njeriut të fortë. Gazeta Express ka biseduar me analistët Lulzim Peci, Imer Mushkolaj dhe Albert Krasniqi, të cilët qasjen e Haradinajt e quajnë joserioze dhe lojë me opinionin
Në intervistën me Tim Sebastian për Deutsche Welle, kryeministri deklaroi se Gjykata Speciale është krijuar me ndryshime kushtetuese dhe është votuar nga shumica parlamentare dhe se nuk vihet në pikëpyetje. Ndërsa një ditë më pas, kryeministri tha fjalë të tjera. Në një intervistë televizive, Ramush Haradinaj tha se nuk del kundër deputetëve të vendit, vetëm sa për t’ua bërë qejfin do ambasadorëve.
“Le ta harrojë gjithkush atë. Nuk është ashtu koncepti i shtetit. Për mua, mirë e keq, deputetët janë të mitë, janë të zgjedhurit e popullit. Mund të gabojnë, por i bartin përgjegjësitë”, është shprehur Haradinaj.
Mirëpo, edhe pse deklaratat janë publike, Zyra e Kryeministrit në një përgjigje për Express i ka mohuar këto deklarata kundërthënëse.
“Kryeministri nuk ka pasur kurrë deklarata kundërthënëse. Vlerësimet e tij dhe të Qeverisë së Kosovës janë publike”, është përgjigja e Zyrës së Kryeministrit për Gazetën Express.
Por, njohësit e çështjeve politike e thonë të kundërtën e asaj çfarë është thënë nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas tyre, deklaratat kundërthënëse po bëhen vetëm për një qëllim: për konsum të brendshëm.
Lulzim Peci, nga KIPRED, thotë për Gazetën Express se Ramush Haradinaj është duke dhënë deklarata të ndryshme për Specialen varësisht nga mediumi për shkak që ka filluar të përgatitë opinionin për dorëzimin e pozicionit të tij në këtë drejtim.
“Haradinaj është duke u munduar që të menaxhojë me publikun tërheqjen nga pozicioni i fortë në përkrahje të shpërbërjes së Dhomave të Specializuara dhe dorëzimin nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare. Këto kundërthënie janë pasojë e këtij menaxhimi, që ka të bëjë me krijimin e opinionit publik në formën ‘ne u dorëzuam, por jemi trima dhe të pastër, e nuk frikësohemi të ballafaqohemi me drejtësinë ndërkombëtare’. Një taktikë e tillë në menaxhimin e opinionit publik njihet si face saving – ruajtja e fytyrës, përmes projektimit të disfatës si “fitore morale”, ka thënë Peci për Express.
Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj tha për Express-in se Haradinaj është duke u munduar të mbajë qëndrimin e njëjtë për opinionin kosovar edhe pse është shprehur ndryshe për mediet e huaja.
“Kryeministri është duke u munduar tash që ta arsyetojë qasjen që e ka bërë për Specialen, për t’u dukur në opinion që nuk e ka ndryshuar përshtypjen për Specialen. Mënyra se si kryeministri është duke u sjellë është vetëm një lojë për opinion brenda Kosovës e sidomos për votuesit e vet, pra duke mos iu sjellë atyre frikën se ky ka ndryshuar qëndrim edhe pse kjo e fundit është e vërtetë. Deklarata në emisionin ‘Zona e konfliktit’, është dhënë për të përçuar mesazh te ndërkombëtarët se kryeministri është pro marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se ky i fundit nuk është kundër funksionalizimit të Dhomave të Specializuara. Ndërsa, për mediumin kosovar deklarata është thënë ndryshe për shkak që nuk do t’i zhgënjejë dhe do t’u dalë në fjalë votuesve të tij e sidomos ata që ishin pjesë e luftës së Kosovës”, ka thënë për Express Mushkolaj.
Ndërsa, sipas Albert Krasniqit, deklaratat e Ramush Haradinajt e shfaqin joseriozitetin e tij si politikan.
“Ndryshimi i shpeshtë i qëndrimeve për një kohë kaq të shkurtër dhe për çështje kaq të ndjeshme siç është Gjykata Speciale, nuk është virtyt i politikanëve seriozë. I shohim të ndryshojnë qëndrimet në varësi të disponimit, tekeve momentale apo mediumit për të cilin deklarohen. Mungesa e konsistencës i shoqëron vazhdimisht politikanët kosovarë. Shpeshherë deklarimet e tyre nuk korrespondojnë me veprimet. Prandaj edhe besimi i publikut në institucione po bie vazhdimisht”, ka thënë për Express-in Krasniqi.
Krasniqi më tej ka thënë se ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit ka ardhur si rezultat i përgjigjeve negative të shteteve ndërkombëtare.
“Gjatë kësaj periudhe kur po tentohej shfuqizimi i Ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale, ka pasur deklarata mjaft armiqësore ndaj kujtdo që është shprehur kundër kësaj nisme të dëmshme për Kosovën. Përnjëherë mandati i lirë i deputetit dhe ndarja e pushteteve filloi të theksohej. Këndellja ndodhi vetëm pasi iu bë e qartë se do të përballen me pasoja individuale, disa prej të cilave tashmë filluan të zbatohen, siç janë refuzimi i vizave. Deklarimet e krerëve institucionalë se Kosova qëndron prapa obligimeve që ka marrë për këtë Gjykatë, është dashur të bëhen qysh në ditën kur është iniciuar kërkesa për shfuqizim të Ligjit”, ka shtuar tutje ai.
Madje, sipas tij, pasi që shefat e partive përkatëse u larguan nga kjo nismë, do të duhej edhe deputetët ta bënin të njëjtën gjë.
“Për të kuptuar qëndrimin zyrtar të Qeverisë duhet pritur nëse do të japë mendim për iniciativën ligjore të dërguar nga Kuvendi, apo se cila do të jetë përgjigja nëse deklarohet. Ndërsa fatin përfundimtar të iniciativës duhet ta vendosë Kuvendi. Më e mira në këtë rast do të ishte sikur deputetët iniciues të tërhiqnin nismën ligjore, tani kur edhe shefat e tyre nuk iu qëndrojnë prapa”, tha Krasniqi për Express-in.