Studiuesi Enver Bytyçi ka folur për skandalin në vizitën e presidentit shqiptar në Kosovë dhe pse Begaj refuzoi vizitën në selinë e LDK?
Bytyçi ka aluduar se ky refuzim i presidentit Begaj për të takuar kryetarin Lumir Abdixhiku në selinë e LDK-së ka ardhur si pasojë e një kërkese të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Bytyçit, Rama ka dashur ta fshikullojë Abdixhikun pasi në takimin që kanë pasur para disa muajsh, kreu i LDK-së nuk i ka përmbushur premtimet që i ka bërë kryeministrit në zyrë.
Bytyçi: Para se Presidenti i Republikës të nisej për në Kosovë duhet të kishte rakorduar të gjitha detajet e takimeve që do të zhvillonte që përpara. Madje një president që shpall ditën e vizitës pa rakorduar gjithçka që përmban protokolli, ai president është jo serioz dhe jo korrekt në detyrën e tij dhe funskionit.
Nga ky lajm kuptoj se ai ka refuzuar në momentin e fundit për të shkuar në selinë e LDK-së. Kjo do të thotë se ka pasur një aktor të tretë që ka ndikuar në këtë vendim që ai të mos pranojë të shkojë në selinë e LDK-së dhe të takoi kryetarin e kësaj force politike. Ky aktor i tretë mund të jetë në Kosovë por edhe në Shqipëri.
Nëse është përcaktuar agjenda dhe ajo është deformuar rrugës, atëherë është krejt e arsyeshme të mendosh se ka interferenca të jashtme në këtë vendim.
Duke menduar për aktorin e tretë unë mendoj se është kryeministri i vendit tonë pasi kam përshtypjen se zoti Abdixhiku në takimin që ka bërë me zotin Rama para disa muajsh dhe është kritikuar, ka marrë përsipër një rol të caktuar dhe mesa duket ato që ka marrë përsipër në zyrën e kryeministrit Rama nuk i ka realizuar. Për pasojë është gjetur kjo mënyrë për ti dhënë një fshikullimë dhe ti thotë që me premtimet që i ke dhënë kryeministrit të Shqipërisë nuk mund të luash. Dhe mendoj se premtimi duhet të ketë lidhje me Open Balkan.