
Analizat Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë nivel alarmant të prezencës së arsenit në mostrat e ujit, të marra nga puset e ujit në Llojan dhe Vaksincë. Në një nga dy mostrat niveli i arsenit është 47.73 mikrogram për litër, që është pothuajse pesë herë më i lartë se standardi i lejuar ndërkombëtar. Këto rezultate i shpalosi sot, kandidati për kryetar të Likovës, nga radhët e VLEN, Nexhmedin Sadiku, i cili nënvizon se iniciativën për analizim të mostrave të ujit në shkollën mes Vaksincës dhe Llojanit dhe pusit në Llojan, e ka ndërmarrë pas alarmimit të qytetarëve se uji është i ndotur dhe përmban minerale të rënda. Ai akuzon komunën e Likovës, se deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap për parandalimin e, siç thotë, helmimit të qytetarëve.
“Për sqarim të opinionit, arseni është substancë shumë toksike, që përdoret për prodhimin e pesticideve dhe herbicideve, gjithashtu përdoret edhe si helm. Pra uji i Llojanit është toksik dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin e njeriut… Nga ekspertë të fushës të shëndetit publik, na është thënë se ekspozimi afatgjatë ndaj nivelit të lartë të arsenit, shkakton kancer të mushkërive, të lëkurës, fshikëzës dhe veshkëve, sëmundje të zemrës dhe hipertension, diabet dhe çrregullime neurologjike, vonesa në zhvillimin e fëmijëve dhe probleme tjera serioze shëndetësore. Komuna e Likovës, mban përgjegjësi direkte për këtë rrezikim të shëndetit publik”, deklaroi Nexhmedin Sadiku, kandidat i VLEN për Likovën. /Alsat.mk



