Gazetar: Bashkim Sulejmani
Komisioni për strategjinë e zhvillimit të arsimit në komunën e Tetovës, ka organizuar debat publik lidhur me strategjinë e zhvillimit të arsimit në këtë qytet, për periudhën 2025-2030.
Kjo strategji e hartuar në mënyrë konsultative me arsimtarë, profesorë e pjesë të komisionit për strategjinë zhvillimore të arsimit, ka për synim përmirësimin e cilësisë në arsim në periudhën 2025-2030. Kreu i komunës Bilall Kasami, tha se pas shumë vitesh për herë të parë Komuna përpilon strategjinë për zhvillim të arsimit në Tetovë.
“Përgëzoj përpiluesit e strategjisë të cilët janë ekspertët ndër më të mirë që i kemi, si bartëse e procesit arsimor në parashkollor, shkollat fillore dhe të mesme në krijimin e kushteve më të mira në këto shkolla. Duke nisur edhe nga mundësitë arsimore, objekteve të reja shkollore, zgjerimit të objekteve, deri në përmirësimin e kushteve sa i përket kuadrit profesional, por edhe arsimor. Është strategji gjithëpërfshirëse, që do të jetë udhërrëfyes i komunës së Tetovës për periudhën 2025-2030”, tha Bilall Kasami – Kryetar i komunës së Tetovës.
Një nga ekspertët që ka punuar në përpilimin e kësaj strategjie zhvillimore të arsimit, Satki Ismaili thotë se ky studim, është bërë me marrjen e gjitha të dhënave për të kaluarën të tashmen dhe situatën momentale në arsim”.
“Ekipi profesional i ka dhënë rëndësi asaj që në Tetovë, në të ardhmen, shkollat të mësojnë me mësim në një ndërrim, por edhe mësim tërë ditor, që ka të bëj me realizimin në një periudhë afat mesme dhe afat gjatë sepse këta gjëra nuk realizohen dot në një periudhë të shkurtër, për të pasur të arritura në arsim dhe për të pasur një arsim kualitativ”, theksoi Satki Ismaili, Profesor.
Në përpilimin e këtij plani, janë paraparë gjitha shkollat, me qëllim që në dhjetë vjeçarin e ardhshëm, këto ndryshime të arrijnë kualitetin e duhur në arsim, si në Shkollat Fillore po ashtu edhe në të mesme. Pas debateve publike, kjo strategji do të kalojë në fazën e miratimit të saj dhe planifikimit të planeve aksionale./Alsat.mk



