Gazetar: Mihajllo Donev
Pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi dje morën nismën për interpelancën e tyre të paraqitur nga grupet parlamentare të shumicës qeverisëse. Mirëpo, sot ata nuk kanë dhënë përgjigje konkrete në pyetjen se a do të japin dorëheqje nëse deputetët u votojnë mosbesimin.
“Po, interpelancën e kam marrë dje, por duhet t’ju them se tani nuk jam gati të flas për qëndrimin tim, sepse besoj se pretendimet në të duhet të analizohen me kujdes. E lexova, por për shkak të angazhimeve për sot, nuk pata mundësi ta shikoja me vëmendje”, tha Tanja Çaçarova Ilievska, anëtare e Këshillit Gjyqësor.
“Publiku nuk do të mbetet pa përgjigje, pra pa prononcimin tim. Dorëheqja është akt personal dhe dorëheqja paraqitet vetëm kur për këtë ekzistojnë arsye të justifikuara”, u shpreh Vesna Dameva, anëtare e këshillit gjyqësor.
Sipas rregullores, pesë anëtarët e këshillit të zgjedhur nga Kuvendi kanë 10 ditë kohë për t’u përgjigjur dhe për të dhënë qëndrimin e tyre për interpelancat, që do të thotë se votimi i mosbesimit pritet të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm. Interpelancën e paralajmëruar e nënshkruan 67 deputetë, gjashtë më shumë se numri i kërkuar për mosbesimin ndaj anëtarëve Vesna Dameva, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska, Pavlina Cërvenkovski dhe Selim Ademi. Megjithatë, edhe nëse u votohet mosbesim, kjo nuk nënkupton automatikisht shkarkimin e tyre, por është thjesht mekanizëm për t’u bërë presion që të japin dorëheqje. Kjo do të thotë se nëse një anëtar i caktuar i këshillit vendos të mos japë dorëheqje, ai do të mbetet anëtar i këshillit pavarësisht nga qëndrimi i deputetëve. /Alsat.mk