Ambasadorja e sapoemëruar amerikane në vend, Angela Prajs Ageler, sot ia dorëzoi letrat kredenciale presidentit. Në fjalën e saj ajo përkujtoi se nuk ishte hera e parë që është në shërbim diplomatik në Shkup, duke shtuar se që nga vizita e saj e fundit në vend, Maqedonia e Veriut mori vendime të vështira që e çuan përpara në rrugën e integrimeve euroatlantike. “E ardhmja është vërtet e ndritshme, edhe pse vendi po përballet me sfida të vjetra dhe të reja,” tha Ageler. Ambasadorja theksoi se SHBA-të mbështesin vendin në respektimin e sundimit të ligjit, mundësive të barabarta për drejtësi, rritje ekonomike dhe zhvillim personal. “Maqedonia e Veriut po përballet me sfida në themelet e të gjitha këtyre shtyllave. Ashtu si vazhdoni të ecni përpara, Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu si një partner, aleat dhe mik, duke kultivuar marrëdhënie që do të bëhen më të forta, më të thella dhe më produktive”, përfundoi Ageler, e cila më parë në seancën dëgjimore para senatorëve amerikanë tha se lufta kundër korrupsionit në vend do të jetë prioriteti i saj kryesor./Alsat.mk