Si sot 31 vite më parë, më 8 gusht të vitit 1991, është dita e eksodit masiv të shqiptarëve për në Itali.
Kjo pasi anija “Vlora” e cila u nis nga Durrësi me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, u shfaq në portin e Barit.
Kujtojmë se në atë kohë në bordin e anijes ishin shumë burra, gra e fëmijë, që prisnin për fatin e tyre midis dy brigjeve të Detit Adriatik.
Ish-Presidenti Ilir Meta ka rikujtuar sot 31-vjetorin e largimit masiv të shqiptarëve drejt një jete më të mirë.
Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se edhe pas 31 vitesh, 40 përqind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin, duke rrezikuar jetën e tyre, janë shqiptarë.
“Pas 31 viteve nga këto pamje tronditëse dhe emocionuese të 8 gushtit 1991, kur rreth 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes “Vlora” nisën udhëtimin drejt lirisë, për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë, eksodi i shqiptarëve vijon dhimbshëm.
Edhe sot, 40 përqind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin, duke rrezikuar jetën e tyre, janë shqiptarë.
Që drama e madhe e shpopullimit të marrë fund dhe shqiptarët të ankorojnë shpresën në Atdheun e tyre, duhet ndëshkuar kapja e shtetit, modeli korruptiv dhe kriminal që lë në varfëri shumicën e qytetarëve, për të pasuruar një pakicë.
Europa do ndërtohet në Shqipëri kur sovrani të marrë në dorë fatet e veta!
REFERENDUMI, kryefjala e angazhimit madhor të Partisë së Lirisë”, shkruan Meta në Facebook./albeu.com/