Anketa që zbulon se shqiptarët e duan më shumë “Shqipërinë e Madhe” sesa bashkimin Kosovë – Shqipëri

Në vitin 2010, pikërisht gjashtë vjet nga tash, kompania prestigjioze e hulumtimit të opinionit publik, Gallup, e mbështetur nga Fondi Evropian për Ballkan, kishte realizuar anketë në tri shtete ballkanike ku jetojnë shqiptarët.

Edhe pse po flasim gjashtë vjet pas kësaj ankete, debati i ditëve të fundit rreth idesë së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë apo jo, e bënë një të tillë aktuale.

Aso kohe 62% e të anketuarve në Shqipëri, 81 % në Kosovë dhe 51.9 % në Maqedoni, e mbështesin krijimin e Shqipërisë së Madhe, transmeton lajmi.net.

Pjesa dërmuese e të gjithë të anketuarve, apo mbi 95% e tyre në të tri shtet, thoshin se nëse do të krijohej Shqipëria e Madhe, do të duhej të përfshinte Shqipërinë, Kosovën dhe pjesë të Maqedonisë, shkruante Balkan Insight.

Mirëpo, mbështetja ishte shumë më e ulët për bashkimin vetëm të Shqipërisë me Kosovën.

Vetëm 33.7% e të anketuarve në Shqipëri e mbështesin këtë zgjidhje, ashtu si 29.2 % e atyre në Kosovë e vetëm 7.2 e të anketuarve në Maqedoni.

Shumica e të anketuarve thoshin se kanë dyshime se bashkimi i të gjithë shqiptarëve etnikë në rajon do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Megjithatë,derisa  ideja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm ka vazhduar të mbetet popullore, liderët politikë në rajon janë shumë të kujdesshëm në ngritjen e çështjes së kufijve.

Tendenca që ata kanë është  integrimi i rajonit në  Bashkimin Evropian, atje ku shqiptarët do të jenë të bashkuar në një hapësirë evropiane pa kufij e pa pengesa kombëtare.