Anulohet sërish seanca për rastin “Puç”, Janeva: Po manipuloni. Gjykatësja i jep vërejtje

E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net

Seanca gjyqësore për rastin “Puç”, në të cilën i akuzuar është lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, u anulua sërish në afat të pacaktuar me arsyetimin se dy gjykatës të porotës nuk posedojnë certifikatë të sigurisë.

Ndaj gjykatëses menjëherë reagoi prokurorja speciale, Katica Janeva. “Ju po e keqpërdorni detyrën zyrtare, ka një vit e tepër që po e anuloni seancën. Po manipuloni me publikun! Në çka po ju ngjan kjo?”,- tha Janeva. Pas reagimit të saj, gjykatësja në proces verbal i ka shkruar vërejtje prokurores speciale për prishje të rendit dhe qetësisë në seancë gjyqësore.

Në ndërkohë, gjykatësja nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjen e mbrojtjes se a është i ftuar në seancë dëshmitari, Nikolla Gruevski.

Pas anulimit të seancës, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se nga ky akt shihet qartë se gjykata nuk ka qëllim që të udhëheq proces juridik, por tenton të udhëheq proces politik.

“Esenca e anulimit përbëhet nga dy momente, kjo është një strategji e përgjithshme e qeverisë mashtruese që ka për qëllim të mbajë gjallë procesin që është i lidhur me temën më thelbësore në Maqedoni, e ajo është kush dhe si janë realizuar përgjimet në Maqedoni. Pse blejnë tani kohë për të siguruar certifikatë të sigurisë? Pse sot nuk ishte i ftuar i vetmi dëshmitar, Nikolla Gruevski?”,- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sipas Zaevit, gjykata nuk ndan drejtësi, por i shërben partisë në pushtet, VMRO-DPMNE-së.

“Opinioni ishte dëshmitarë i këtij cirku. Gjyqësori është i shkatërruar, është gjunjëzuar. Në vend që të ndajë drejtësi, ai po vepron në mënyrë politike. Gjykimi vazhdimisht anulohet, ndërsa sipas Marrëveshjes së Përzhinës njëherë e përgjithmonë duhet të vërtetohet se kush dhe për çfarë ka përgjuar”,- tha Zaev, duke shtuar se e gjithë kjo do të marrë fund më 11 dhjetor.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme