Apeli i jep të drejtë MPB-së, kompania austriake s’mund t’i merr 5 milionë euro të pasaportave

Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës ka kërkuar që kontesti në mes kompanisë austriake OeSD dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të kthehet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kompania austriake OeSD e kishte fituar kontestin në arbitrazh dhe Kosova ishte detyruar që t’ia paguante afër 5 milionë euro.

Por Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe është në favor të MPB.

Një zyrtar i Gjykatës së Apelit i ka thënë lajmi.net se ka pasur paqartësi në klauzolën e marrëveshjes dhe për këtë arsye është vendosur që të refuzohet.

Lajmi.net merr vesh se në kontratë ka qenë e përcaktuar se kontestet zgjidhen më së pari në Gjykatën Themelore të Prishtinës, më pas në gjykata tjera.

Ndërsa kompania austriake e kishte zgjedhur më së pari arbitrazhin.

Gjykata e Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris kishte vendosur në favor të shtypshkronjës austriake, dhe vendimi parashihte pagesën prej 4.996 milionë eurosh dhe shpenzimet tjera.  Shtypshkronja shtetërore austriake e ka fituar çështjen ligjore kundër qeverisë së Kosovës, nga e cila ka kërkuar kompensim për shkak të vonesës në pagesa dhe për shkak të anulimit të parakohshëm të kontratës për dorëzimin e pasaportave biometrike.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, kishte bërë padi duke kontestuar  juridiksionin e Gjykatës së Arbitrazhit në rastin e pasaportave dhe i ishte refuzuar kjo padi Gjykata Themelore e Prishtinës.

Por krejt në fund, Gjykata e Apelit e ka pranuar ankesën e MPB-së dhe procesi do të kthehet në pikën zero. /Lajmi.net/