Demokracia Studentore përmes një komunikate për media ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për vendimin e pronësisë së tokës në Kampusin e UP-së, duke vendosur pro kishës ortodokse serbe që është brenda kampusit universitar.
Mexhid Ramusa nga Demokracia Studentore ka thënë se toka prej shtatë hektarësh nuk do t’i takojë asnjëherë kishës, pasi ajo është ndërtuar me dhunë nga Sllobodan Milosheviqi, transmeton Koha.net.
“Toka rreth 7 hektarë në të cilën gjendet kisha ortodokse serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, asnjëherë nuk do t’i takojë kishës ortodokse ‘Sveti Nikolla’ pasi që ajo kishë është ndërtuar me dhunë nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Milloshoviq, dhe ne studentët jemi të shqetësuar për vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka vendosur pro kishës dhe kundër Universitetit”, është shprehur Ramusa.
Ai më tutje ka shtuar se, “Gjykata e Apelit për bazë është dashur t’i marrë incizimet në inaugurimin e themelit të kësaj kishe ku në atë video shihen qartë tanke, autoblinda dhe mjete të tjera të blinduara të Policisë serbe dhe të gjithë kriminelët serbë të cilët kanë kryer masakra makabre në Kosovë. Gjykata e Apelit me ketë vendim e bënë të ligjshme dhunën dhe të gjitha krimet qe i ka kryer Serbia në Kosovë”.
Ramusa ka ka fajësuar gjithashtu edhe Rektoratin për neglizhencën ndaj këtij rasti, ndërsa ka theksuar se studentët do ta kundërshtojnë këtë vendim në të gjitha mënyrat.
“Por në këtë rast e fajësojmë edhe Rektoratin që i ka neglizhuar të gjitha punët kundër këtij vendimi. Ne si student këtë vendim do ta kundërshtojmë me të gjitha mënyrat”, ka thënë Ramusa.
Më poshtë mund të shikoni një video që shfaq pamjet rreth ndërtimit të kishës ilegale serbe brenda kampusit universitar të Prishtinës.