Apostolova kërkon të mos ketë ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të mbështesin punën e vazhdueshme të reformave në arsim.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, është takuar sot me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), konkretisht me Këshillin Shtetëror të Cilësisë (KShC), i cili sipas saj, po bën ‘përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë’, thuhet në njoftimin për media.

Apostolova pas takimit ka deklaruar se zotimi i anëtarëve të KShC-së është mbresëlënës dhe duhet të shërbejë si shembull.

“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave.”, ka deklaruar ajo.

Sipas shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, politika duhet të rrijë larg punës së agjencive të pavarura dhe se pikërisht ndërhyrja e tyre rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë, si dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Ajo theksoi se këto veprime kanë pasoja të rënda për studentët e Kosovës sepse dëmtojnë aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit.

“BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor.”, ka thënë tutje Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën e vazhdueshme të reformave në arsim.

“Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike.”, deklaroi Apostolova pas takimit me AKA-në.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme