Presidenti Joe Biden paralajmëroi pasoja për Arabinë Saudite ndërsa administrata e tij ka nisur rivlerësimin e marrëdhënieve të SHBA-së me mbretërinë saudite dhe demokratët kanë kërkuar ngrirjen e bashkëpunimit me këtë vend.
Deklarata vjen pasi aleanca OPEC+ e udhëhequr nga Riadi, njoftoi se do të ulë prodhimin e naftës. Presidenti Biden tha në një intervistë për rrjetin CNN të martën se po shqyrton masa kundër sauditëve, por nuk pranoi të japë detaje për to.
Shkurtimi i prodhimit nga organizata e vendeve eksportuese të naftës pritet të ndihmojë Rusinë të shtojë të ardhurat, ndërsa vazhdon luftën e saj gati tetë-mujore në Ukrainë.
Senatori demokrat i Kënektikatit, Richard Blumenthal dhe ai republikan i Kalifornisë, Ro Khanna kanë paraqitur projekt-ligj që do të ndalonte menjëherë shitjen e armëve të SHBA-së për Arabinë Saudite për një vit. Kjo masë do të përfshinte edhe ndalimin e shitjeve për pjesët rezervë apo të riparimit, raporton Zëri i Amerikës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se deri në çfarë pike do të shkojë Presidenti Biden për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Arabisë Saudite, një aleat i rëndësishëm, por i ndërlikuar në Lindjen e Mesme.
Presidenti Biden tha në intervistë se ai do të konsultohej me Kongresin për rrugën që duhet ndjekur, por nuk pranoi të bënte komente mbi propozimin e demokratëve për të ndaluar shitjen e armëve.
“Do të ketë pasojë për atë çfarë kanë bërë me Rusinë. Nuk do hyj në detaje mbi atë që kam në mend. Por do të ketë pasoja”, tha presidenti.
Zëdhënësi i sigurisë kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se Presidenti Biden beson se “është koha për të riparë marrëdhëniet dhe për t’u siguruar se kjo i shërben interesave të sigurisë kombëtare”.
Sekretarja e shtypit Karine Zhan-Pierr tha të martën se Shtëpia e Bardhë nuk ka afat kohor për shqyrtimin e masave dhe se presidenti nuk ka caktuar një këshilltar të posaçëm për kët çështje.
Megjithatë, zyrtarët nënvizojnë rolin e Arabisë Sauditë për sigurinë në Lindjen e Mesme.
OPEC+, që përfshin Rusinë dhe Arabinë Saudite, njoftoi javën e shkuar se do ulë prodhimin e naftës me 2 milionë fuçi më pak në ditë, çka do të ndikojë në ruajtjen e çmimit të naftës, duke ndihmuar financiarisht Presidentin Rus Vladimir Putin, që vazhdon prej 8 muajsh luftën në Ukrainë.
Ulja e prodhimit dëmton gjithashtu përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-të për t’ia bërë financiarisht të papërballueshme luftën Rusisë, kërcënon ekonominë botërore tashmë të destabilizuar nga konflikti i Ukrainës dhe rrezikon që Presidenti Biden dhe demokratët të përballen me rritje të çmimit të energjisë pak përpara zgjedhjeve të nëntorit për Kongres.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al Saud tha se vendimi i qeverisë për të ulur prodhimin është “thjesht ekonomik”.
Biden dhe udhëheqësit europianë kanë kërkuar rritjen e prodhimit të naftës me qëllim uljen e çmimit, por edhe për të ndëshkuar Moskën për agresionin e saj në Ukrainë.
Senatori Blumenthal tha se SHBA-të “nuk mund të vazhdojnë t’i shesin armë të teknologjisë së lartë një vendi të lidhur me një kundërshtar të neveritshëm terrorist”.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë mban në konsideratë faktin se shitjet e armëve të saj Riadit, shërbejnë, pjesërisht, si një kundërpeshë e rëndësishme në rajon ndaj Iranit, i cili po vepron me shpejtësi drejt synimit për t’u kthyer në fuqi bërthamore.
Por, presioni është i madh për Biden. Gjatë kandidimit për Shtëpinë e Bardhë ai premtoi se nën drejtimin e tij, udhëheqësit sauditë do të paguanin për vrasjen e gazetarit amerikan Jamal Khashoggi, një kritik i Mbretërisë, në vitin 2018.
Pas rritjes së çmimit të karburantit në korrik Biden vendosi të vizitonte Arabinë Saudite. Gjatë vizitës, ai u takua me princin e Mbretërisë Saudite, të cilin prej kohësh e kishte akuzuar si përgjegjës për vrasjen e Khashoggit. Inteligjenca amerikane kishte arritur në përfundimin se Princi i Kurorës, kishte miratuar vrasjen e Khashoggit në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Vetë Princi i Kurorës ka mohuar çdo përfshirje.