Arat e Lutfi Zharkut bëhen me asfalt (Dokument)

E hëne 14 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Ministri Infrastrukturës, Lutfi Zharku, po e shfrytëzon mjaft mirë pozitën shtetërore për ta rritur pasurinë. Me para të buxhetit të shtetit i ka hapur rrugë arave të tij dhe të miqve të partisë. Në emër të zgjerimit të rrugëve, ai e ka lidhur parcelën e tij prej 2.3 hektar me magjistralen Prishtinë-Shkup.

Hiq më pakë se 700 mijë euro ka investuar tek rreth-rrotullimi i ri, afër QMI-së, në derë të biznesit të djemve të kryeministrit ku është edhe prona e ministrit aktual të Infrastrukturës Lutfi Zharku, njëherësh anëtar i LDK-së.

Gazeta Fjala, posedon dokumentacion që dëshmon këtë pronësi, afër lagjes “Marigona”, të cilën e ka konfirmuar edhe vetë Zharku.

zharku 1

“Po e kam pronën 300 metra në thellësi të magjistrales”, ka thënë Zharku për Gazetën Fjala.

Parcela prej 2.3 hektarësh, sipas tij ka qenë më herët në emër të vëllait të ministrit, ndërsa tash është në emër të tij, siç edhe dëshmohet me dokumentacionin kadastral.

Në Agjencionin Kundër Korrupsionit, në kuadër të deklarimit të pasurisë ai e ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2006 në vlerë 170 mijë euro.

15034271_10211228974504470_63678566_o

Në atë kohë, magjistralja ishte vetëm me dy korsi, ndërsa me zgjerimin e saj duke krijuar një shirit ndarës ishte vështirësuar kyçja në këtë parcelë dhe në kompaninë “Makcar”, pronë e familjes së kryeministrit Mustafa.

Por, duket se me ardhjen në pushtet, ndër veprimet e para që ka bërë Qeveria del të jetë largimi i barrierave.

Me 700 mijë euro të buxhetit të shtetit Ministria e Infrastrukturës, ka ndërtuar një rreth-rrotullim në kuadër të zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Ferizaj, në zonën industriale afër QMI-së.

Kështu, të interesuarit për servisim dhe blerje të veturave “BMW”, përfaqësues të së cilave janë djemtë e të parit të ekzekutivit më lehtë do të futen në autosallon.

Gjithashtu me këtë rreth-rrotullim, i treti në vetëm 8 kilometra nga QMI deri në hyrje të kryeqytetit, edhe “pasanikët” e lagjes “Marigona” më lehtë kyçen në rrugë, bashkë me ministrin Zharku në pronën e vet.

“Nuk e di pse i lidhni punimet e fundit në magjistrale me pronën time aty. Unë këtë pronë e kam shumë më herët aty”, thotë Zharku duke mohuar t’ia ketë rregulluar vetes këtë rrugë.

Megjithatë, burime brenda kësaj ministrie i kanë thënë Gazetës Fjala se gjithçka është bërë për interesa personale, pasi edhe zgjerimi i magjistrales është ndërprerë pasi janë larguar shiritat ndarës në zonën ku janë parcelat me interes.

700 mijë euro për largim të barrierave

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, bashkëpartiak i kryeministrit Mustafa pati thënë se punimet në këtë pjesë po zhvillohen me qëllim të krijimit të lehtësirave për biznese duke larguar shiritin ndarës që u pamundësonte atyre të kyçen direkt në rrugën e ndërtuar në vitin 2008.

Aso kohe ishin investuar mbi 200 mijë euro, në ndarjen e trasesë alternative me mur mbrojtës prej metali, ndërsa tani MI ka shpenzuar 700 mijë euro për heqjen e tyre me eskavator.

Gazeta Fjala ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës se a ka qenë kërkesë e bizneseve ndërtimi i këtij rreth-rrotullimi, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës, ka ndarë afro 700 mijë euro që i tërë brezi ndarës të largohet përgjatë magjistrales dhe rruga të bëhet me tri korsi. Njëjtë po veprohet edhe në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, duke quar koston e shpenzimeve të reja në mbi 1 milion euro.

“Investimi në zgjerimin e trasesë së rrugës Prishtinë deri te rrethi i QMI-së do të kushtoj 698,523.94 € Vendosja e mbrojtësve të rrugës të cilat në terminologjinë tonë i quajmë (pahi elastike), në ndërtimin fillestar kanë kushtuar 227,525.20 euro”, pati thënë për Gazetën Fjala, Saranda Jusufi zyrtare për informim në këtë Ministri. Ndërkaq, për 2.9 kilometra, nga hyrja e Prishtinës deri te rrethrrotullimi në Fushë Kosovë rruga do të kushtojë 633, 761.67 euro. /Gazeta Fjala/

15064237_10211228974224463_46674030_o

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme