Ardian Klosi përkujtohet si krijues e zë i opozitës qytetare

Me dorëshkrime, fotografi përkthime e vepra publicistike të botuara është kujtuar përkthyesi, publicisti e intelektuali Ardian Klosi në 10-vjetorin e vdekjes.

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë miqtë e tij, përfshirë kryeministrin Edi Rama janë mbledhur për ta kujtuar Klosin i cili i dha fund jetës para një dekade, më 26 prill 2012. Në ekspozitën “In Memoriam” vizitorët mund të njihen nga afër me aspekte të ndryshme të krijimtarisë së Klosit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka thënë se Ardian Klosi ishte padyshim intelektuali i pakompromis, një nga personalitetet e spikatura të përkthimit shqip. “Për ata që si unë e njohën Ardian Klosin për së largu, ai ishte padyshim intelektuali i pakompromis, një nga personalitetet e spikatura të përkthimit shqip, një selektor sqimatar titujsh, që solli mes tonë autorë të shekullit 20, për të cilët përpara viteve ’90 ishte e pamundur të flisje e jo më t’i lexoje”, ka thënë Margariti.

Sipas saj, “Ardian Klosi ishte një nga figurat e shquara të publicistikës, herë-herë i hidhur, por me një synim të qartë në demokratizimin e mendimit shqiptar, sidomos kur bëhej fjalë për shembjen e idhujve”, ka thënë ajo. Sipas ministres së Kulturës, plot 10 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Klosi mungon si opozitë qytetare dhe intelektuale me natyrën e tij të përmbajtur, por me një penë të mprehtë

“E përkujtuam në Bibliotekën Kombëtare mes miqsh, përmes veprës, qëmtuar në një ekspozitë ‘In Memoriam’, që përfaqëson edhe qenien dhe misionin e tij”, ka thënë Margariti.

Ardian Klosi u lind në Tiranë më 9 korrik 1957. U diplomua në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë në vitin. Prej 1981-s, deri më 1986 punoi si redaktor dhe përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. E prej 1986 deri më 1990 studioi në Innsbruck në Austri. Doktoroi me temën “Miti dhe zhvillimi i tij në Letërsinë Moderne të vendeve të Evropës Juglindore”. Nga viti 1993 deri më 1998 ka qëndruar në Gjermani. Në vitin 1998 u rikthye në Shqipëri ku u emërua drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar.

Qysh nga viti 2004, drejtoi shoqatën kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”. Është autor i veprave “Refleksione”, në bashkautorësi me Edi Ramën, “Shqipëria zgjim i dhunshëm”, “Quo vadis Shqipëri”, ”Shqipëria ç’mund të jetë”, “Robert Schwartz ose dritaret e qytetit tim”, “Mbijetesë shqiptare” e “Fjalor Gjermanisht-Shqip” të cilin e ka hartuar së bashku me albanologun gjerman Wifried Fiedler. Klosi po ashtu është përkthyer i disa veprave të letërsisë gjermane.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme