Arma që mposht Serbinë

OPINION nga Dritan HILA

Kur dëgjon reagimet e politikës shqiptare rreth konfliktit serbo-kosovar, nuk ka si mos të mbërthejë një ndjenjë dëshpërimi.
106 vjet pasi Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, shqiptarët reagojnë ndaj problemeve si diletantë.
Është e vërtetë që provokimi serb me trenin i vinte era myk i shekullit të 19-të. Gjithë skenari ishte sikur nuk ekzistojnë tashmë rrjetet sociale dhe sikur NATO nuk ka forcën e saj në Kosovë. Ishte shembulli sesi tashmë edhe Serbia vuan nga mungesa dramatike e fantazisë në politikë.
Është e vërtetë se rreziku i një luftë as që bëhet fjalë. Le të rrinë të qetë shqiptarët: Serbia nuk ka as kapacitetet njerëzore, as ato ekonomike dhe as ushtarake të përballet me një konflikt të ri. Iku koha që trashëgonte armatimin e APJ, kurse Rusia është mijëra kilometra larg. Ashtu siç është e vërtetë që Serbia për Evropën nuk është më fëmija i përkëdhelur ndërsa shqiptarët njerëz me bisht. Njëra palë janë luftënxitësit e përhershëm ndërsa pala tjetër kaçakët e gjithmonshëm që nuk dinë të bëjnë shtet. Ama jemi të barabartë.
Por kjo nuk na fal që sjellja jonë ndaj provokimeve serbe të jetë në kufijtë e infantilizmit. Ndërsa ministri i jashtëm është në kërkim të kushërinjve të fundit që të emërojë në postet diplomatike ose aparatin e MPJ; ndërsa kryeministri reagon nga frëngjia e tij e preferuar, facebooku; nuk mungoi as presidenti që të jepte deklaratën e tij pa erë, pa ngjyrë, pa shije, drejtuar Serbisë, me fjalor të ezauruar prej kohësh. Një shekull pasi jemi shtet i pavarur, e gjitha ç’ka mund të bëjmë janë ca deklarata që do velerisnin edhe Burkina Fason?! Me siguri ambasadori i Serbisë që e dëgjonte do ketë mbajtur me zor të qeshurën!
Askush nuk i ngarkon me faj këto figura pse nuk i përgjigjemi me të njëjtën arrogancë ushtarake palës serbe. Të paktën kaq gjë e dinë që diplomacia që nuk bëhet nën hijen e topave, është sikur të rrahësh ujë në havan. Më mirë mos flasësh fare në aspektin ushtarak sesa të matesh me hijen e mëngjezit siç bën fqinji ynë. Por ama Shqipëria e ka një armë për të bërë esëll fqinjin tonë, dhe kjo është bllokada ekonomike. Nëse vërtet duam të bejmë Serbinë esëll, atëhere mjafton që politika shqiptare të mendojë seriozisht. Ne marrim krundet nga Serbia dhe me to bëjmë bukën. Marrim konservat, produkte të konfeksionuara ku nuk shënohet as data e skadencës e as kaloritë, dhe i hamë. Volumi tregëtar mes Serbisë nga njera anë dhe Kosovës dhe Shqipërisë së bashku, luhatet diku aty tek 500-1 miliard euro. Nëse do të bësh Serbinë të flasë me vete, atëhere mblidhesh në një tryezë të përbashkët serioze të qeverive Shqipëri-Kosovë ku diskuton planin e bllokadës, dhe jo bufonatat që kemi parë ku nuk rregullojnë as importin e patateve. Ditën e dytë ngarkon ekspertët të pregatisin listën e mallrave të cilat do bllokosh dha atyre që do të ngresh doganën. Dhe ditën e tretë paralajmëron Serbinë për masat që do të marrësh. Shqipëria dhe Kosova mund të paguajnë pak kosto nga ndërrimi i burimeve të furnizimit, por do fitonin në cilësi malli dhe fqinji ynë mëndjemadh do fillonte të vinte në vete. Nëse nuk ndërmerr këto masa, atëhere ky është një fakt kokëfortë që tregon se qeveritarët shqiptarë këndej dhe andej kufirit kanë pazare të përbashkëta me tregtarët serbë, ku kanë në çdo mall që shitet, pjesën e tyre. Dhe ky është problemi, por jo treni.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme