Policia e Kosovës ka njoftuar se Enver Sekiraqa është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, ku Apeli dy ditë më parë vendosi që të njëjtin ta kthej në paraburgim.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, policia tha se pas pranimit të aktvendimit të Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë, Enver Sekiraqës i është dërguar ftesa, mirëpo nuk është hasur në vendbanimin e tij.
“Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi”.
“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi”, thuhet në përgjigjen e policisë për Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se policia ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim të tij në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore ndaj Sekiraqës.