Gazetar: Suad Bajrami
Nën udhëheqjen e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zyrtarët policor i kanë vazhduar edhe sot bastisjet në disa lokacione të Shkupit, Manastirit dhe Strumicës nën dyshimin se një grup i organizuar ka importuar dhe shpërndarë produkte të falsifikuara për kamuflim të plakjes, të njohura në opinion si “botoks” dhe “fillera”. Nga organi i akuzës konfirmojnë se për mjetet e importuara për intervenime estetike, janë arrestuar shumë persona të cilët dyshohen për një sërë veprash penale.
“Ende zbatohet aksioni i koordinuar gjatë së cilës kryen bastisje intensive në shumë lokacione të shtetit. Aksioni është rezultat i ekzistimit të bazës së dyshimit për kryerjen e veprave penale Shoqërim Kriminal, Shkelje të të Drejtës nga Pronësia Industriale dhe Përdorim i Paautorizuar i Kompanisë së Huaj dhe Pranim të ryshfetit”, deklaruan nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.
• Arrestime për importim të “botoksit” dhe “fillerave”
• Dyshohen për disa vepra penale
Preparatet mjekësore të cilat janë importuar nga Kina, Serbia e Turqia, kanë përfunduar në tregun e Maqedonisë në mënyrë ilegale, me qëllimin final që t’u aplikohen pacientëve.
Jozyrtarisht, mes të arrestuarve ka edhe të punësuar në klinikat e Shkupit, por edhe pjesë të ordinancave private estetike, por edhe persona përgjegjës në zinxhirin transportues të substancave me përbërje kimike. Çështja e përdorimit të preparateve për ndërhyrje estetike në vazhdimësi ka qenë temë diskutimi në opinion për shkak të importimit ilegal dhe më pas aplikimit të tyre në mënyrë joprofesionale, e cila mund sjellë komplikime në shëndetin e pacientëve, deri në përmasa serioze./Alsat.mk.



