Inspektorati Policor i Kosovës bën me dije se hetuesit e Departamentit të Hetimeve të këtij institucioni kanë arrestuar dy zyrtarë policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare” nga neni 416 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së kanë pranuar dje (25.07.2019) autorizimin nga Prokuroria Themelore Prishtinë që të bëjë intervistimin në cilësi të të dyshuarve të dy zyrtarëve policorë (që të dy me gradën e rreshterit) – punonjës në Drejtorinë kundër Krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Aty tregohet se pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve dy vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, me vendim të prokurorit kompetent këta zyrtarë policorë janë arrestuar dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore Prishtinë, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. Gjithashtu, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës vazhdimin e suspendimit për zyrtarët policorë tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart”, thuhet në njoftimin e IPK-së, pa dhënë më shumë detaje.