Një 45-vjeçar nga Shkupi është arrestuar në Kriva Pallankë nën dyshimin se ka tentuar të mashtrojë një grua të moshuar, duke i kërkuar 35.000 euro me pretekstin se vajza e saj kishte nevojë për operacion urgjent në Itali.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 24.06.2026, rreth orës 11:30, në Kriva Pallankë, nëpunës policorë nga NJPB Kriva Pallankë e privuan nga liria N.D. (45) nga Shkupi, për shkak të dyshimit se ka tentuar të kryejë veprën penale “mashtrim”.
“Më parë, një gruaje të moshuar nga Kriva Pallanka një person i është lajmëruar përmes telefonit, është prezantuar si mjek nga Italia dhe e ka njoftuar se vajza e saj është rrëzuar në Itali dhe ka pësuar disa thyerje në këmbë dhe në nofull dhe se duhet të japë 35.000 euro për t’iu kryer operacioni. Meqë nuk ka pasur aq para është marrë vesh me të që t’ia jepte të gjitha paratë që i kishte në shtëpi, por ndërkohë i është lajmëruar dhëndrit të saj dhe i cili e ka këshilluar që të lajmërohet në polici, pas çka nëpunësit policorë e kanë kapur personin dhe e kanë privuar nga liria në afërsi të shtëpisë së saj”, njoftoi MPB.
Nga Policia thonë se i denoncuari është ndaluar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të paraqitet kallëzim përkatës.
The post Arrestohet 45-vjeçari nga Shkupi që tentoi të mashtrojë një grua të moshuar, i kërkoi 35 mijë euro appeared first on Alsat.



