Një person është arrestuar për fajde në Gjilan, ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Ai dyshohet të ketë caktuar si fajde rreth 9 mijë euro ndaj një personi të cilit ia kishte dhënë 30 mijë euro.
“Për vlerën e parave të cilat viktima i kishte pranuar nga i dyshuari, në vlerë prej 30,000.00 € sipas marrëveshjes të dyshuarit do t’i ktheheshin 39.000.00 €”, thotë PK.
Policia e Kosovës shton se pas një periudhë disa mujore që nga momenti i denoncimit të incidentit, në kuadër të sigurimit të provave materiale dhe dëshmive tjera relevante, pas një pune operative/taktike hetimore, duke përfshirë edhe masat e fshehta teknike dhe të hetimit, është arritur të pasqyrojnë gjendjen faktike se një person i dyshuar ishte përfshirë në veprën penale të fajdes.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, sot më datë 10.06.2020, sipas Urdhëresës së Gjykatës kompetente, është kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse pronë e të dyshuarit, me ç’rast i dyshuari (J.S.) është shoqëruar në Polici, dhe është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës i caktuar sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të intervistës me Aktvendim të prokurorit të lëndës, i dyshuari është ndaluar në afat prej 48 orësh. Në lidhje me çështjen penale do të zhvillohen edhe procedura tjera hetimore.